Avokati i njohur, shtetas shqiptaro-britanik, Kastriot Berberi ka komentuar revoltën masive që ka ‘mbërthyer’ vendin, teksa qytetarët kërkojnë prej 3 javësh dorëheqjen e Ramës.

Në një bisedë për ‘Programin e drekës’ në News24 me Ola Brukon, Berberi analizoi protestat, rolin e diasporës, ndërsa deklaroi se qeveria e re duhet të vijë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai tha se është kundër një sistemi anarkie.

“Kur je politikan i votuar me vota të drejtpërdrejta të popullit britanik për një periudhë 12 vjeçare, të pajisur me përvojë të madhe. E shoh jetën sociale-politike në Shqipërisë me syrin kritik, pavarësisht partisë që drejton. Si shqiptar i diasporës, do të mbështetje çdo aktivitet të qeverisë, por si politikan do ta shihja me syrin kritik. Të jetosh në perëndim nuk pengohesh që të flasësh lirshëm. Në këto 35 vite e kanë pasur mundësi ta bënin dhe të flisnin, por se kanë bërë. Tani frika është vrarë. Lëvizjet dhe protestat në diasporë, janë akt i mrekullueshëm, por janë pak. Duhet të ishin më shumë. Në ditën e parë të protestës pashë rastësisht në median shqiptare zhvillimin e protestës. U mrekullova, u lumturova, e kisha dëshirë që ta shihja këtë gjë prej vitesh. Tani që u zhvillua protesta, kemi nevojë të shohim dhe mësojmë gjëra të tjera. Dita e parë e protestës ishte ajo ngjarja spontane në Zvërnec, që ishte e çiltër. Ajo ishte protestë për t’u përshëndetur. Pse u nis ajo protestë? Banorët e zonës pretendojnë pronësinë e tokës, disa të tjerë thonë se është zonë arkeologjike, ndërsa institucionet shqiptare thonë; është zonë e mbrojtur. Mungesa e transparencës nga ana e qeverisë, e përshpejtoi protestën. Protesta në vetvete është një nga fenomenet më të shkëlqyera që ka ndodhur në këto 35 vite. Kush është pas perdeve, se di. Nuk jam në dijeni të emrave. Nga mediat kam mësuar se ka përfaqësues nga paritë, organizatat dhe qytetarët. Aty sheh njerëz të bukur, të çiltër, me sjellje të emancipuar. Kur shohim të rinjtë aty, është shpresë. Fillimi është një proces demokratik. Nëse protesta përkon në rrëzim të qeverisë dhe cakton të një qeverie jo demokratike, distancohem nga kjo. Çdo lëvizje duhet të jetë paqësore dhe demokratike, sipas ligjeve dhe kushtetues së Shqipërisë. Çdo qeveri e re duhet të vijë nga rezultatet parlamentare, zgjedhje të lira. Nëse është nevoja për koalicione, të bëhen. Jam për proces demokratik, jo anarki!”, tha ai.

KUSH ËSHTË KASTRIOT BERBERI
Kastriot Berberi është shtetas shqiptaro-britanik, i lindur në Burrel dhe prej rreth 29 vitesh jeton në Londër me familjen e tij.
Ka përfunduar Akademinë e Policisë në Shqipëri dhe studimet universitare e pasuniversitare në Mbretërinë e Bashkuar në Drejtësi. Ka shërbyer si oficer i Policisë Kriminale në Shqipëri dhe më pas ka ushtruar profesionin e juristit në studion e tij ligjore në Londër.

Në politikën britanike, është anëtar i Partisë Laburiste prej rreth 20 vitesh dhe ka shërbyer për tre mandate radhazi (2014–2026) si anëtar i Këshillit të Bashkisë së Waltham Forest.
Është vlerësuar me titullin “Freeman of the City of London” (2013), me Certifikatë Mirënjohjeje nga Ambasada Shqiptare në Londër (2014) dhe me titullin “Qytetar Nderi i Matit” (2026).
Berberi njihet për kontributin në promovimin e çështjes shqiptare në Britani, duke organizuar prej vitit 2014 ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në Bashkinë e Waltham Forest, si edhe aktivitete për Kosovën dhe komunitete të tjera. Ai është aktiv në çështjet e të drejtave të njeriut, publicistikë, bamirësi dhe lobim në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në qëndrimet e tij për politikën shqiptare, shquhet për një qasje të pavarur dhe kritike ndaj të gjitha qeverive. Politikisht identifikohet si socialdemokrat dhe laburist.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb