Nxehtësia, lagështia dhe rreziku i reshjeve nuk i japin asnjë moment qetësie Formulës 1, e cila pas Sepangut, ku të dielën u zhvillua gara e 16- të e sezonit, është zhvendosur drejtpërdrejt në Singapor, për një tjetër fundjavë gare tejet të vështirë nga pikëpamja fizike për protagonistët e “paddock”-ut.

Temperaturat gjatë gjithë fundjavës pritet të jenë rreth 32 gradë Celsius, të shoqëruara me nivele të larta lagështie, pavarësisht se gara zhvillohet në mbrëmje, ndërsa rreziku i shiut është veçanërisht i lartë të shtunën dhe të dielën. Këto janë kushte jashtëzakonisht sfiduese për pilotët dhe, për rrjedhojë, FIA ka aktivizuar protokollin “Heat Hazard”, i cili u zyrtarizua të enjten, gjatë ditës së takimeve me mediat, për të dytën fundjavë radhazi.

SISTEMI I FTOHJES

Vendimi u formalizua nga drejtori i garës, Rui Markes, në përputhje me atë që përcakton neni B1.5.10 i rregullores zyrtare të FIA-s: “Pas marrjes së një parashikimi nga Shërbimi Zyrtar Meteorologjik, sipas të cilit indeksi i nxehtësisë do të jetë mbi 31 gradë, thuhet në dokument, në çdo moment gjatë Sprintit ose Garës së këtij eventi në Singapor, shpallet gjendja ‘Heat Hazard’ si për Sprintin, ashtu edhe për Garën”.

Ky është tashmë një protokoll i njohur mirë për skuadrat dhe, ndër të tjera, parashikon detyrimin për instalimin në makinat e ‘Driver Cooling System’, sistemit të ftohjes së pilotit të montuar në njëvendësh. Pilotët mund të vendosin nëse dëshirojnë ta përdorin apo jo këtë sistem, por në rast se zgjedhin të mos e përdorin, duhet të kompensojnë peshën minimale të lejuar të makinës. Në kushte të tilla, kur temperatura e ajrit kalon 30 gradë Celsius, temperatura brenda kabinës mund të kapërcejë 50 gradë. Gjatë një Çmimi të Madh, një pilot mund të humbasë deri në 2-3 kilogramë lëngje.

SFORCIM I DYFISHTË

Në Singapor, sforcimi fizik do të jetë edhe më i madh. Nga njëra anë është lodhja e protagonistëve të Formulës 1, të cilët mbërrijnë në këtë garë si në ndalesën e fundit të një tresheje radhazi garash, veçanërisht të lodhshme. Nga ana tjetër është ndryshimi i tretë i zonës kohore brenda tre javësh. Gara zhvillohet në mbrëmje dhe kjo do t’i detyrojë pilotët të jetojnë sipas orareve europiane, pavarësisht diferencës prej gjashtë orësh me Singaporin, e njëjta diferencë kohore me atë të Çmimit të Madh të mëparshëm në Malajzi, me të cilën i gjithë “paddock”-u ishte mësuar tashmë.

“Për këtë arsye duhet të bësh pak stërvitje – shprehej Kimi Antoneli në Sepang – duke filluar që të hënën të shkosh për të fjetur më vonë dhe të zgjohesh më vonë, në mënyrë që gradualisht të përshtatesh me ritmin e eventeve që zhvillohen në mbrëmje”. Këtyre vështirësive u shtohet edhe formati Sprint, i fundit i këtij kampionati, i cili do të kërkojë një përpjekje të mëtejshme fizike si nga skuadrat, ashtu edhe nga pilotët. Ata do të përballen me një seancë provash të lira, të ndjekur nga dy sesione kualifikuese, një garë të shkurtër Sprint dhe më pas Çmimin e Madh. Një ngarkesë e tillë krijon një nivel stresi dhe kërkon menaxhim të energjive dukshëm më të madh krahasuar me një fundjavë tradicionale gare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb