Nga Ilir Sinanaj

Pavarësisht ligjeve të forta që Shqipëria ka që të krijojë një mjedis ku personat e komunitetit LGBTIQ të mos ndihen të diskriminuar, përsëri Shqipëri qëndron larg standardeve të zhvilluara të vendeve perëndimore. “Thembra e Akilit” qëndron tek mjedisi të punësimit të personave të komunitetit LGBTIQ, ku këta persona të mos ndihen të diskriminuar nga punëdhënësit por të kenë shanse të barabarta punësimi.

Ilirjani

Mjedisi jo i favorshëm në Shqipëri për punësimin e personave LGBTIQ u vu në pah në studimin e “Indeksit të Barazisë në Punësim të LGBTIQ” të konceptuar për herë të parë në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nga një kompanie punësimi me bazë në Shqipëri por me shtrirje ndërkombëtare.

“Në disa prej gjetjeve më kryesore, kompanive u është kërkuar nëse politika për mbrojtjen nga diskriminimi që ato kanë, ka të bëjë në mënyrë specifike me LGBTIQ dhe statusin e tyre. 25% e kompanive kanë politika, të cilat përfshijnë fjalë të lidhura me LGBTIQ dhe statusin e tyre, duke vënë sërish në dukje faktin se politikat e punësimit nuk i mbrojnë sa duhet punëkërkuesit dhe punëmarrësit LGBTIQ. Gjithsesi, ka pasur një rritje krahasuar me rezultatet e vitit të kaluar ku vetëm 17% e kompanive kishin në zbatim politika të cilat përfshinin fjalë të lidhura me LGBTIQ, gjë që tregon një tendencë të kompanive shqiptare drejt trajtimit të barabartë.

Nga ana tjetër, vetëm 4% e kompanive kanë raportuar se i kanë të përmendur në mënyrë specifike punëkërkuesit LGBTIQ në politikat e tyre rekrutuese. Edhe pse vitin e kaluar rezultatet ishin më të ulëta, konkretisht 3%, përqindja është përsëri e ulët dhe kjo është një e dhënë e rëndësishme, pasi mos-diskriminimi në stadin e marrjes në punë është kritik për të inkurajuar punëkërkuesit LGBTIQ që të aplikojnë për punë.

Vetëm 6% e kompanive kanë formularë aplikimi dhe pyetje interviste që janë miqësore ndaj personave LGBTIQ. Kjo tregon një hap përpara në respektimin e të drejtave dhe ruajtjen e dinjitetit të punëkërkuesve LGBTIQ, por shumë kompani nuk kanë aftësitë e nevojshme për ta realizuar këtë.

Gjithashtu, vetëm 6% e kompanive deklarojnë se kanë punësuar një ose më shumë persona LGBTIQ. Ky rezultat është edhe në sajë të faktit qe shumica e kompanive nuk kërkojnë informacion në lidhje me orientimin seksual dhe/ose identitetin gjinor”, thuhet në deklaratën për shtyp të studimit të “Indeksit të Barazisë në Punësim të LGBTIQ”.

Gjatë prezantimit të “Indeksit të Barazisë në Punësim të LGBTIQ”, themeluesi i “kompanisë që ka ndërmarrë këtë studim, Elton Ilirjani, shprehu mbështetjen e tij ndaj komunitetit LGBTIQ si edhe nevojën për të ndërgjegjësuar publikun shqiptar për këtë komunitet.

“Personat LGBTIQ i japin ngjyrë Shqipërisë dhe unë jam betuar se do të jem krah komunitetit, ta ndihmoj atë. Dhe të heqim pak këtë pluhurin e injorancës që e ka mbushur dhe vazhdon të shtohet në rininë shqiptare”, tha ai

Indeksi i Barazisë në Punësim të LGBTIQ është një sistem vlerësimi që bën të mundur të përcaktohet se sa dhe si respektojnë kompanitë të drejtat dhe dinjitetin e personave të komunitetit LGBTIQ në marrjen në punë, trajnimin, zhvillimin dhe praktikat e përgjithshme të punësimit të tyre.

Ndërkaq, në bazë rezultateve përkatëse për secilën nga 109 kompanitë që morën pjesë në “Indeksi i Barazisë në Punësim të LGBTIQ”, në total 7 kompani arritën një vlerësim, i cili do t’u jepet më 5 shtator në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb