Në emisionin “News24 Fundjavë”, të moderuar nga Megi Latifi, u trajtua mënyra se si mund të jenë siguruar dhe shpërndarë pamjet intime të kompozitorit Adi Hila me persona të njohur të showbiz-it shqiptar.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa u ndal te mënyra e pozicionimit të kamerave, duke bërë dallimin mes kamerave të sigurisë dhe kamerave të fshehta.
“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të dytat vendosen sepse prona jote mund të rrezikohet apo abuzohet. Kur e përdor si një ambient privat, gjërat ndryshojnë. Kamera ishte e drejtuar drejt krevatit, jo, për shembull, në drejtim të kasafortës”, tha Softa.
Sipas tij, mënyra e orientimit të kamerës ngre pikëpyetje mbi qëllimin e vendosjes së saj.
“Nuk ka qëllime sigurie, por marrje të pamjeve. Fakti që kemi pamje filmike që kanë intimitet, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë”, u shpreh eksperti.
Softa foli edhe për mundësinë e hakerimit të sistemit, duke theksuar se në një rast të tillë duhet të përcaktohet mënyra se si është ndërhyrë në sistem dhe pse.
“Nëse flasim për hakerim, duhet të flasim për pse. Kur flasim për hakerim, dikush ka hyrë në sistem dhe ka thyer kodin e sigurisë. Kur personi në fjalë thotë ‘nuk kam pasur filmim’, duhet parë se si është hakeruar”, tha ai.
Eksperti shtoi se pamjet e kamerave zakonisht ruhen në një sistem arkivimi dhe se nuk është e nevojshme që dikush të jetë duke monitoruar kamerën në mënyrë të vazhdueshme.
“Nuk do të hyjë dikush 24 orë të kontrollojë një kamera që ke vendosur ti. Pamjet janë ruajtur diku si arkivë”, deklaroi Softa.
Duke iu referuar platformës Telegram, ai tha se ekzistojnë grupe ku shpërndahen materiale të marra nga kamera të fshehta dhe se këto pamje mund të përdoren edhe për shantazh.
“Në Telegram ka grupe të hapura që kanë kamera të fshehta për persona të ndryshëm. Pamjet shiten dhe publikohen, përdoren për shantazh”, u shpreh eksperti i sigurisë.
