NGA MIMOZA KOÇIU

63 parti politike ishin regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në garën e fundit vendore të qershorit 2015. Tetë muaj para zgjedhjeve parlamentare të radhës, dy parti të reja politike u zyrtarizuan brenda pak javësh. E para, “Sfida për Shqipërinë”, e iniciuar nga Gjergji Bojaxhi, dhe e dyta u shpall këtë të martë me emrin “Libra”, një iniciativë e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit.

A kemi nevojë për parti të tjera, kur këto që kemi janë shkaku pse Shqipëria ka politikanët më të pasur duke qenë vend i varfër? Përgjigjja jo aq e thjeshtë është PO, e për shumë arsye. Kemi nevojë për parti të reja që të tronditin statuskuonë e testuar prej 2005-ës nga trekëndëshi politik PS-PD-LSI.

Kemi nevojë për parti të reja, që të flasin nga këndvështrimi i interesit qytetar e të mos fshihen pas hesapeve të vogla politike, të sotme apo të nesërme. Kemi nevojë për parti të reja, majtas e djathtas, që ekzistueset të sfidohen në modelin e demokracisë së brendshme, që u modelon qëndrimin publik. Kemi nevojë për parti të reja, ku qytetarë të njohur e të panjohur të bashkohen rreth ideve e frymës së një projekti politik, jo rreth individit që i drejton.

Kemi nevojë për parti të reja, te të cilat të mund të dëgjojmë e frymëzohemi nga zëra me intelekt, e të informuar për çka shprehin në publik, jo për individë mediokër e të ricikluar, skllevër të kryetarit, që përdoren për betejat e tij personale, të palexuar e, më keq, me të kaluar të dyshimtë, merita e vetme e të cilëve është sigurimi i votave me çdo kusht për kryetarin. Kemi nevojë për parti të reja, ku të materializohet kontrata sociale, se të zgjidhesh do të thotë të mbash premtimet e të japësh llogari për çka bën e nuk bën.

Kemi nevojë për parti të reja që të krijojnë shpresë e të ngadalësojnë sadopak ritmin marramendës të largimit të mendjes e fuqisë punëtore nga Shqipëria, një kosto e rrezikshme për të ardhmen e vendit, që askush nuk po e merr seriozisht.

Ish-funksionar i PD-së, Gjergj Bojaxhi u testua në vendoret e 2015-ës, kur kandidoi për bashkinë e kryeqytetit, i mbështetur nga nisma qytetare “Ne Tirana”. Duke dalë më vete e për herë të parë, Bojaxhi mori jo pak, por mbi 5% të votave, të cilat nuk u përkthyen në mandate në këshillin bashkiak, sepse “Ne Tirana” nuk garonte me një listë të tillë. Siç kishte premtuar, edhe pse me vonesë, 8 muaj para zgjedhjeve vjen me një parti, “Sfida për Shqipërinë”, me një prezantim po aq modest publik sa në mars të 2015-ës, e me bastin për të luftuar kundër mosbesimit të fortë që ekziston ndaj çdo lëvizjeje politike në Shqipëri, relativizimit se të gjithë politikanët janë njëlloj.

Një sfidë kjo në kufijtë e një kompleksi të dëmshëm, përballë krizës së besimit, që është tipike, një tipar, por edhe taktikë e ushqyer nga vetë partitë tradicionale, si pjesë e lojës pa rregulla në politikë. Me premtimin se nuk do bëjë koalicion me asnjë parti politike, në një sistem zgjedhor që e penalizon këtë lloj zgjedhjeje, “Sfida” e Bojaxhiut rrezikon të mbetet edhe njëherë në stadin e ngjashëm të testimit, si në vendoret e 2015-ës. Pavarësisht kësaj, që të nesërmen e shpalljes si parti politike, ajo u perceptua si kërcënim nga PD-ja, partia nga ku Bojaxhi u largua, e kjo ishte fitorja e parë e “Sfidës” para zgjedhjeve.

Nga ana tjetër kemi “Libra”-n, partinë që pritej të dilte prej kohësh nga e majta, e iniciuar prej dy të majtëve tradicionalë, deputetët e larguar nga Partia Socialiste Ben Blushi e Mimoza Hafizi, që kanë nga pas edhe kolegë po aq tradicionalë të majtë, e që falë përvojës politike, i dhanë rëndësinë e duhur ceremoniale edhe shpalljes së partisë së re.

Parti të reja me fytyra jo të reja? Kjo është pikëpyetja e parë skeptike, por ndryshimi vjen tek idetë e njerëzve që përpunojnë mendim, ide të formuara si rrugëdalje, e që në rastin e Blushit janë artikuluar me shumë kurajë edhe brenda mureve të PS-së, para se të shpaloseshin publikisht prej dy vitesh tashmë.

Ben Blushi e Mimoza Hafizi janë dy zëra të spikatur të socialistëve, largimi i të cilëve, pa dyshim, është një humbje, një luks i tepruar për një parti që i ka me kokrra elementë të tillë. PS-ja nga ku u larguan u bë shkak që Shqipëria të kishte një ligj për dekriminalizimin. Duke u uruar “udhë e mbarë” Blushit e Hafizit, partia më e madhe e majtë, që ka humbur deputetë se i kanë përfunduar në pranga, jep një sinjal jopozitiv, të orientimit të gabuar të saj nën drejtimin e Edi Ramës, se pushteti duhet të fitohet me individë të fortë, e jo me njerëz të mençur.

Kontrastin e parë të fortë e bën me të gjitha partitë tradicionale. Duke u shpallur si parti e të barabartëve, lista e barabartë e “Libra”-s, vjen si një model që kontraston me PS-në, që identifikohet me Ramën, ku Blushi u ndalua të garonte për kryetar, PD-në me Bashën, apo LSI-në me Metën. Kjo duket një lëvizje e goditur për një parti të re, që tenton të hyjë në një sistem, me pretendimin që ta ndryshojë.

Nëse “Sfida” e Bojaxhiut ka vendosur të sfidojë mosbesimin, “Libra” e Blushit vjen më me përvojë dhe sfidon sistemin. E këtë e bën duke u renditur si parti e qendrës. Çka do të thotë se, për të maksimizuar rezultatin, aleancat janë pjesë e projektit politik që do e çojnë këtë parti, të sigurt drejt përfaqësimit në parlament.

Hafizi me Blushin vijnë si ish-disidentë brenda PS-së, të vetëlarguar me partinë në pushtet. Kjo është një lëvizje sa e ndershme, aq edhe e efektshme, për t’iu kundërvënë modelit ekzistues, që imponon promovimin me fjalë apo me heshtje të një realiteti të rremë virtual, krejt i kundërt me atë tokësor, që çdo qytetar e prek përditë.

Brenda PS-së Blushi ka spikatur gjithnjë fort, jo vetëm për artikulimin e zhdërvjelltë, plot stil e me efekt të garantuar publik, por edhe me aksionin që ndërmori, i mbështetur brenda grupit nga astrofizikania Mimoza Hafizi, duke kërkuar zbatimin e statutit për mandatin e skaduar të kryetarit-kryeministër, duke u ofruar si kandidat në garë, një mundësi që iu mohua në shkelje të rregullave nga vetë kryetari.

Ashtu si Bojaxhiu, edhe Blushi po përballet me mosbesimin se nuk do i çojë gjërat deri në fund, si dikur në rastin e LMN-së. Por këtë herë pikë të fortë ka aksionin në rritje, që e çoi deri në shpalljen e “Libra”-s, i inkurajuar nga jo pak zëra të pakënaqur socialistë, individë që kanë spikatur me kontributet e tyre që herët, e që e gjejnë veten te konkludimet e Blushit mbi Rilindjen e Edi Ramës.

Pa dyshim që puna më e vështirë nis tani, si për Blushin, ashtu edhe për Bojaxhiun. Dilemat ndaj tyre po davariten me materializimin e ofertave konkrete që kanë hedhur, partitë politike që kanë shpallur. Ato janë aty, të hapura për të zhgënjyerit apo për qytetarët që e kuptojnë se ndryshimi i duhur, fatmirësisht a fatkeqësisht, vjen vetëm përmes politikës. Më shumë apo më pak, e sigurt është se të dyja partitë e reja do i bëjnë të djersijnë partitë tradicionale majtas e djathtas, që tashmë 8 muaj para zgjedhjeve e kanë hedhur hapin e parë konkret: aleancat që do i mbajnë apo sjellin në pushtet. E në ato përllogaritje duhet të shtojnë edhe “Libra”-n dhe “Sfida”-n.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: