TIRANE- Artisti i mirënjohur Mirush Kabashi është një ndër artistët më aktivë në protestat kundër shëmbjes së godinës së Teatrit Kombëtar, të cilat vijojnë që prej muajit shkurt të këtij viti. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, aktori Mirush Kabashi ka komentuar zhvillimet e fundit rreth projektligjit të qeverisë për shëmbjen e Teatrit, dhe hapat që do të ndërmarrë komuniteti i artistëve nisur nga kjo situatë.


Mirush Kabashi teksa po diskutonte  për Teatrin Kombëtar, deklaroi se artistët kanë vendosur të hynë në grevë urie.

Shumë nga artistët e Teatrit i kanë dhënë një ultimatum Qeverisë deri të premten për t’u tërhequr nga projektligji, përndryshe do të ngujohen brenda ambjenteve të Teatrit Kombëtar në një grevë dhe protestë pa afat.

Duke komentuar këtë situatë, Mirush Kabashi tha se kryeministri Rama ka krijuar një lloj armiqësie ndaj artistëve.

“Përpara disa muajsh kam pasur një telefonatë nga Tin Basha, i cili më tha se do grumbulloheni të gjithë për Teatrin. Unë kam folur, por nuk kam marrë iniciativë të bëj protagonistin, duhet ta bëjnë të rinjtë tani”, u shpreh aktori Mirush Kabashi.

PJESE NGA INTERVISTA

Godina teatrit po shkon drejt shëmbjes, çfarë besoni se mund ta ndalojë këtë gjë?

Rreth 20 vite më përpara ka qenë vetë PS që e ndaloi, por asokohe nuk kishte këtë pozicion Edi Rama. Ajo godinë duhet rikonstruktuar ashtu sikurse e tha edhe Ministrja e Kulturës me gojën e saj. Keni lënë një afat deri të premten për qeverinë. Çfarë ndodh pas të premtes mbrëma?

Parmbrëmë dëgjova që kolegët kishin vendosur të bëjnë grevë urie për herë të dytë për të njëjtin shkak.

Jeni dakort me këtë gjë?

Kanë të gjithë të drejtën e ligjit, detyrimit të profesionit të tyre dhe të pasionit tyre që ta bëjnë këtë gjë. Nuk është profesion teatri, është pasion, është dedikim.

Cilët janë artistët që janë shprehur të gatshëm për të hyrë në këtë grevë?

Nuk e di, por 2-3 artistë të teatrit thanë se janë shumë që e kanë ndarë mendjen për t’u futur në grevë.

Ju do të bëheni pjesë e grevës?

Jo, unë jo. Edhe z.Ndrenika nuk do ja kisha këshilluar. Janë mosha dhe kushtet shëndetësore. Konfliktualiteti i rrugës nuk i shkon artit. Ata kanë të drejtën të bëjnë këtë grevë, këtë hap të fundit. Është detyrim i tyre. Ështe arti që përfaqëosn një komb.

Mendoni se greva e urisë do zgjidhë gjë?

Nuk e di nëse do të zgjidhë. Demokracia nuk është privilegj, është përgjegjësi.

Mungon shoqëria në protestat tuaja?

Ka një aksion qytetar, nuk mund të pretendojmë për të shumtë në numër
Koha është e maskarenjve, por atdheu, teatri është i yni dhe i shqiptarëve, ishte fraza juaj. Besoni vërtet se do e shpëtoni godinën?
Të rrëmben profesioni. Edhe pse kam 50 vjet karrierë skenike, nuk më kishte shkuar mendja se do bia në këtë absurde ku luftojmë për teatrin. Teatri ndiqet nga shumë spektatorë. Kemi shumë mbështetje. Edhe ju masmedia e konsideroni si një problem mjaft të madh dëmin që po i bëhet teatrit, besoj në mbështetjen që ka për ruajtjen e teatrit. “Ne luftojmë për të drejtën tonë”.

Mendoni që jeni të parëndësishëm, të papërfillshëm te kryeministri, pasi lutjet tuaja janë në vesh të shurdhër?
Nuk janë lutje, janë kërkesë për të drejtën tonë. Në Evropë njihemi përmes bëmave të liga, të drogës, krimit. Të neglizhosh kulturën është e turpshme.

Pse nuk e dëgjon zërin tuaj kryeministri?
Ka krijuar një lloj armiqësie ndaj artistëve. Edhe 20 vite më parë ai ka tentuar këtë gjë. Kryeministri më ka shkruar një herë për ditëlindje dhe atëherë i kam ruajtur numrin dhe po në atë numër i kam shkruar kur u hapën negociatat dhe i thashë: ‘Urime, dhe uroj që mosmarrëveshjet e reja ti zgjidhim mbi bazat e argumentit, arsyes dhe respektit reciprok. E trupshme që kryeministrinë e nderoi një figurë si Robert Ndrenika dhe kryeministri nuk i dha fjalën. Artistët kultivohen në dekada, janë përfaqësues të ADN së një Shqipërie. Jemi ndjerë të ofenduar nga kjo sjellje ndaj Ndrenikës”

Kemi tentuar disa herë t’i marrim intervistë Ndrenikës, por ka një lloj refuzimi…
Nuk është mirë me shëndet, mbart shumë emocione. Ne e kemi të përgjegjshme fjalën, mendohemi mirë para se të flasim.

(BalkanWeb)