TIRANE- Në përfundim të seancës së djeshme parlamentare, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë mundur të miratojnë listat e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo pasi nuk u arrit kufiri prej 93 votash, i nevojshëm për miratimin e listave.

Pas këtij faze, lista do t’i kthehet sërish komisioneve parlamentare ad hoc, për të kaluar në fazën e dytë. Lista mund të shkojë edhe dy herë të tjera në Kuvend.

Por një ditë më parë, “Zëri i Amerikës” në një artikull për listat e kanditave, shkruante se në Shqipëri Autoriteti për Informimin mbi dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur një verifikim të thelluar mbi të kaluarën e avokatit Kozma Jano, i cili u përzgjodh pak ditë më parë më short mes kandidatëve për anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Veç emrit të tij, në artikull përmenden edhe dy kandidatë të tjerë, të cilët kanë qenë “gjyqtar dhe prokuror në Komunizëm”.

“Ashtu siç dhe ishte parashikuar, në sallën e parlamentit dje në mbrëmje, të dy listat me kandidatët e përzgjedhur me short, u rrëzuan pasi nuk morën dy të tretat e votave, siç e kërkon ligji. Procesi në këtë mënyrë rikthehet në nënkomisionin Ad hoc, ku përsëri kandidatët mbeten të njëjtë, e po ashtu dhe problematika. Mes tyre figurojnë madje dhe dy emra të seleksionuar nga radhët e avokatëve, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, që sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, rezultojnë të kenë marrë pjesë, Luli si gjyqtare dhe Seiti si prokurore, në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991”, shkruan “Zëri i Amerikës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: