TIRANE– Qeveria miraton ligjin për futjen në sitë të të gjitha lejeve dhe licencave të peshkimit dhe kontrollin e dokumentacionit për të gjitha anijet që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit në det. Vendimi i propozuar nga Ministria e Bujqësisë parashikon numrin e saktë të lejeve të peshkimit tregtar që ka kapacitet bregdeti shqiptar, çka do të thotë se vijimi i aktivitetit do të jetë i kufizuar.

Brenda 75 ditëve, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave do të verifikojë Regjistrin e Anijeve të Peshkimit, duke përcaktuar të gjitha anijet që kanë një leje peshkimi, së cilave u kanë përfunduar afatet e vlefshmërisë. Brenda 45 ditëve, subjektet e peshkimit, pronarët ose administratorët e anijeve të peshkimit, duhet të deklarojnë vullnetin për të vazhduar aktivitetin e peshkimit pranë Drejtorisë së Peshkimit dhe të pajisen me leje peshkimi, duke shlyer të gjitha detyrimet përkatëse.

Në rast mospërgjigjeje, Drejtoria e Peshkimit bën daljen përfundimtare të anijes nga flota e peshkimit dhe bën të pavlefshëm numrin e anijes së peshkimit. Një anije peshkimi e nxjerrë nga flota e peshkimit, nuk mund të hyjë përsëri në flotë edhe në rast se ndryshon emrin, pronarin/administratorin e saj, portin e veprimtarisë etj.

Procesi i përditësimit të Regjistrit të Anijeve të Peshkimit përfundon në datën 31 mars 2017. Vendimi i ri parashikon edhe standarde për anijet e peshkimit, ku do të ndalohet hyrja në flotën e peshkimit të mjeteve lundruese që përdorin trata tërheqëse fundore me moshë më të madhe se 20 vjet.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: