TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen e tij të ‘Facebook’-ut një video ku shfaqet një grua me fëmijë të mitur në krahë, teksa shpërthen në ngashërim para punonjësve të policisë, pasi do t’i shembet banesa në Shkozë.

“Si nuk keni turp, a keni familje? Si nuk ju vret ndërgjegjja? Mos hani krahët tona, hani krahët tuaja. Është e popullit nuk është e juaja. Na trajtoni si kafshë, si kriminele, çfarë kemi bërë ne?”, dëgjohen disa prej fjalëve të gruas në video.

Berisha shkruan se kjo është klithma e një nene para hordhive me uniforme. “Terror policor! Kjo eshte klithma e nje nene me foshnjen ne krahe ne Shkoze para hordhive me uniforme qe po i shkterrojne shtepine! Sb”, shkruan Berisha.

Ditën e sotme IKMT nisi aksionin për prishjen e 153 banesave në Shkozë, në sajë të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimit të bulevardit të lumit të Lanës. Ndonëse banorët protestuan pak ditë më parë dhe marshuan drejt Ambasadës së SHBA-ve dhe asaj të BE-së ku dorëzuan edhe një letër ku i bënin thirrje ambasadorit Donald Lu dhe Romana Vlahutin që t’i ndihmonin, qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i marrë. Aktualisht IKMT ka shembur dy banesa nga 153 në total.
(ed.me/BalkanWeb)