LEZHE- Trupat e pajetë të dy motrave Frroku, të cilat u vranë në Zvicër nga burri i njërës prej tyre, kanë mbërritur në Lezhë ditën e sotme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Hausen të Kantonit Aargau në Zvicër më 8 janar. Sipas policisë vendase, shtetasi nga Kosova, 54-vjeçari me inicialet R.B akuzohet se vrau gruan e tij Alma B, 38 vjeç, dhe motrën e saj Eldën, 31 vjeç. Kjo e fundit kishte ardhur nga Franca, ku jetonte prej vitesh, për të kaluar festat e fundvitit tek e motra, por aty gjeti vdekjen e dhunshme.

Familjarët e viktimave kanë hapur dyert e mortit në banesën e tyre në Lezhë. Në fotot e publikuara në “BalkanWeb” shihen të afërm dhe banorë të zonës pranë familjes së viktimave.

Një i afërt i viktimave thotë se nuk kërkojnë hakmarrje, por kanë besim se shtetit zviceran do të zbardhë ngjarjen.

“Nuk kërkojmë hakmarrje jemi njerëz që jemi rritur në Europë jemi të sigurt që shteti zviceran do zbardhë çdo gjë. Edhe të gjitha shpenzimet e proceduarat për t’i sjellë trupat e tyre në Shqipëri i ka përballuar shteti zviceran”, thotë një kushëri i viktimave.

(BalkanWeb)

Etiketa: