TIRANE- Një magazinë me sasi të madhe droge është zbuluar në Mirditë dhe të paktën 15 persona janë shoqëruar. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme dhe për të finalizuar operacionin janë thirrur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi kishte dyshime se brenda mund të kishte persona të armatosur.

Rreth 100 forca të policisë Lezhë dhe Mirditë kanë marrë pjesë në operacion, në krye të të cilit ka qenë vetë drejtori i policisë Lezhë, Ermal Muca. Mësohet se magazina shërbente për mbledhjen dhe përpunimin e kanabisit.

DEKLARATA E POLICISË
Operacion anti-cannabis i zhvilluar nga shërbimet e D.V.P. Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe F.N.Sh-në , i cili ka përfunduar që në orën 15:00. Është konstatuar një magazinë me një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike.

Janë shoqëruar 15 persona deri tani të cilët po sillen në D.V.P. Lezhë për veprime të metejshme hetimore. Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentinin e plotë.

DEKLARATA E NOKES
Më herët ishte deputeti demokrat Flamur Noka që paralajmëroi për zbulimin e 3 ton drogë në Rrëshen. Ai madje tha se ka përplasje mes policisë së Rrëshenit dhe asaj të Lezhës dhe për këtë arsye është kërkuar RENEA.

“Pazaret e drogës tashmë kanë kaluar nga konflikte mes bandash në përplasje brenda vetë Policisë. Në këto momente tek magazinat e ish pularisë në qytetin e Rrëshenit zbulohen sasi të frikshme droge. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë rreth 3 ton drogë. Banesa është rrethuar nga një grup i policisë të krimit organizuar të Drejtorisë Lezhë. Policia e Rreshenit nuk pranon të ndërhyjë dhe i ka braktisur ndërkohë dhe uniformat blu të drejtorisë Lezhë nuk po guxojnë të ndërhyjnë. Pritet të vine nga RENEA. Kjo është “Policia që duam” në Kanabistan”, shkruante Noka
Flamur Noka fb 2 nentor
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: