Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka dhënë për News24 detaje mbi situatën e zjarreve në vend, duke deklaruar se problematike mbetet situata në Krujë dhe Prisk.

Çako tha se në Krujë vijojnë të jenë aktive disa vatra të vogla, të mbetura brenda perimetrit të zjarrit të madh, ndërsa po punohet për eliminimin e tyre. Një tjetër zjarr është shfaqur në hyrje të qytetit, i cili u menaxhua gjatë ditës së djeshme dhe ndërhyrjet vijojnë edhe sot.

Sipas Çakos, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera operacionale janë në terren, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë angazhuar rreth 1500 forca policore, mbi 1400 efektivë të mbrojtjes nga zjarri dhe mbi 1000 forca ushtarake.

Ai theksoi se Shqipëria nuk ka pasur nevojë deri tani t’i drejtohet mekanizmit europian ERCC në Bruksel për asistencë. Sa i përket zonave më problematike, Çako bëri të ditur se aktualisht dy pika konsiderohen më nevralgjike: Priska dhe Kruja, ku është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri. Kreu i Emergjencave Civile tha gjithashtu se një pjesë e madhe e zjarreve dyshohet se shkaktohen nga aktiviteti njerëzor, ndërsa disa raste janë aksidentale dhe të tjera mund të jenë të qëllimshme.

“Pas një nate të gjatë pune në Krujë, ku kaloi pa pasoja në banesa dhe mjedise të tjera apo në njerëz, ne jemi angazhuar në disa territore të tjera. Në Krujë kanë ngelur disa vatra, brenda rrethimit të vatrës së madhe që po eliminohen. Po në Krujë është shfaqur një zjarr në pjesën hyrëse të qytetit, ku u menaxhua dje dhe po vijohet dhe sot. Agjencia e Mbrojtjes Civile, bashkë me disa struktura, janë në terren. Gjatë kësaj periudhe ka pasur angazhim të forcave dhe strukturave operacionale. 1500 forca policore, mbi 1400 efektivë të mbrojtjes nga zjarri, pa përjashtuar mbi 1 mijë e ca forca ushtarake. Nuk na është dashur që t’i drejtohemi ERSS në Bruksel, për ndihmë.
Qendra kombëtare e Emergjencave Civile menaxhon 24/7 dhe vlerëson informacionin në kohë reale. Po ashtu koordinon dhe strukturat qendrore të policisë dhe urgjencës. Aktualisht kemi dy pika më nevralgjike ku kemi angazhuar dhe ndihëm nga ajri, në Priskë dhe Krujë. Shumica e zjarreve janë kryesisht nga dora e njeriut, disa aksidentale, disa dhe ngjarje kriminale, për interesa të caktuar. Me këto hetime merret Policia e Shtetit.”, tha Çako.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: