Spanja tha se kalimet e migrantëve në enklavën e saj të Afrikës së Veriut, Ceuta, ishin ndaluar gjatë natës, ndërsa policia filloi të instalonte një barrierë lundruese 500 metra të gjatë pranë kufirit të saj me Marokun të shtunën, më 1 gusht, pas një fluksi masiv të ditëve të fundit që ka marrë jetën e dhjetëra personave.

Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 50,000 njerëz filluan të hynin në Ceuta nga toka dhe deti që nga e enjtja, në një fluks të paparë në një nga kufijtë e vetëm tokësorë të Bashkimit Evropian me Afrikën. Më shumë se 48,000 prej tyre u kthyen në Marok brenda 48 orëve, tha qeveria spanjolle.

Një video e transmetuar sot nga Reuters tregoi ushtarë dhe policë spanjollë duke patrulluar plazhin pothuajse të shkretë të Tarajal, i cili ishte i mbuluar nga mjegulla.

Garda Civile Spanjolle filloi instalimin e barrierës së re, në valëpritësin Tarajal, një nga pikat kryesore të përdorura nga ata që përpiqeshin të hynin në territorin e vogël spanjoll, sipas një njoftimi qeveritar.

Barriera e fryrshme, e kombinuar me një seri shamash detare të ankoruara, është projektuar të ngrihet 30 deri në 70 centimetra mbi sipërfaqen e ujit dhe të shtrihet deri në një metër poshtë saj, shtoi njoftimi, ndërsa një kalim midis barrierave do t’u lejojë anijeve të Gardës Civile të patrullojnë zonën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb