Situata e zjarreve në qarkun Dibër vijon të jetë problematike, me dy vatra aktive të raportuara gjatë ditës së sotme. Më shqetësuese paraqitet situata në Parkun Kombëtar të Lurës, ku zjarri në vendin e quajtur Maja e Ruveshit, mbi fshatin Borie Lurë, ka marrë përmasa të reja gjatë natës.

Sipas autoriteteve vendore, era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve dhe ka rritur ndjeshëm perimetrin e zjarrit. Vatra është shtrirë në tre drejtime, nga ana e fshatit Gurë Lurë, në drejtim të Fushë Lurës, ndërsa flakët janë afruar edhe poshtë malit, duke iu afruar rreth 50 metra disa banesave në fshatin Borie Lurë.

Situata përshkruhet si shumë e vështirë dhe alarmante, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave zjarri mund të bëhet edhe më i vështirë për t’u menaxhuar.

Në operacionin për përballimin e situatës janë angazhuar 15 efektivë të MZSH-së, 10 efektivë të shërbimit pyjor, 12 forca të ADZM-së, dy punonjës të emergjencave civile të bashkisë, 20 forca bashkiake, 15 vullnetarë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 10 punonjës të Policisë së Shtetit.

Autoritetet po vijojnë ndërhyrjen në terren, me fokus kryesor frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe banorëve të zonës.

Një tjetër vatër aktive është raportuar në Qafën e Helmes, në Njësinë Administrative Fushë Bulqizë, në territorin ngjitur me Njësinë Administrative Selishtë të Bashkisë Dibër. Sipas vlerësimit të situatës, zjarri ka zhvillime të pakta dhe ndodhet larg zonave të banuara. Për monitorimin dhe vlerësimin e kësaj vatre janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës të Bashkisë Bulqizë.

Ndërsa situata në Qafën e Helmes paraqitet e qëndrueshme, vëmendja kryesore e strukturave të emergjencave mbetet e përqendruar në Lurë, ku zjarri vijon të jetë aktiv dhe kushtet e motit, veçanërisht temperaturat e larta dhe era, favorizojnë përhapjen e flakëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: