Kreu i PAA Agron Duka me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se qeveria duhet të mbështesë fuqishëm një sërë shtresash në këtë rast nevoje, për shkak të situatës nga koronavirusi.

Duka shprehet se qeveria duhet të mbështesë bluzat e bardha dhe po ashtu duhet që të të prezantojë masa lehtësuese me fokus agrobiznesin dhe agroturizmin.

Postimi i Agron Dukës:

Përballë sfidave në rritje të kësaj pandemie, PAA u ofron mbështetje, solidaritet dhe mirënjohje maksimale bluzave të bardha.

PAA – Vlerëson të nevojshme dhe të dobishme masat anti-krizë, paketat sociale pro të varfërve dhe pro rritjes ekonomike. Masat dhe burimet e financimit duhet të bëhen publike dhe funksionale sa më parë.

PAA – Rithekson se paketa e solidaritetit për të shtresat e margjinalizuara, duhet të garantohet edhe në zonat rurale ku ka shumë shqiptarë që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.

PAA – Vlerëson si imediate konsultimet e qeverisë me përfaqësuesit e fermerëve, një komunitet i madh, punëtor dhe fisnik në kërkesat e tyre modeste.

Për shkak të risqeve të mëdha që ka aktiviteti në zonat rurale, PAA i kërkon qeverisë të qartësojë në paketën antikrizë, politikat dhe fondet që do të destinohen për zonat rurale ku jeton 40% e popullsisë.

Gjithashtu kërkon që blegtorët, bujqit, drejtuesit e mjeteve të mekanikës bujqësore dhe ekspertët e këtij sektori, të autorizohen që të qarkullojnë pa orar dhe me mjetet e tyre, pasi distancat e largëta pamundësojnë zbatimin e masave të shpallura.

Në kushtet kur ekspertët parashikojnë se turizmi mund të jetë sektori që do të preket ndjeshëm, PAA kërkon që qeveria të prezantojë masa lehtësuese me fokus agrobiznesin dhe agroturizmin.

Për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm rural, PAA kërkon që qeveria të ofrojë skema alternative të financimit dhe skema të reduktimit të risqeve nga fatkeqësitë natyrore.

PAA kërkon që institucionet e mikro-kredisë dhe mikro-financës, të mbështeten me fonde, grante ose kredi shumë të buta.

Në mbyllje të kësaj deklarate, PAA u bën apel të gjithë shqiptarëve t’i zbatojnë me përpikmëri këshillat dhe kërkesat e mjekëve si edhe masat e qeverisë, që parandalojnë përhapjen e kësaj pandemie.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb