Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në studion e News24, ka folur për situatën politike në vend, duke u ndalur te raportet mes forcave opozitare dhe strategjia e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kapri u shpreh kundër një bashkëpunimi formal apo mekanik të opozitës, duke theksuar se bashkimi duhet të vijë mbi kauza konkrete dhe jo përmes tryezave politike. “Nuk mund të ketë bashkëpunim mekanik të opozitës. Nuk ka nevojë për tryeza se të bashkojnë kauzat. Mund të jetë Kodi Zgjedhor, ne kemi dhënë propozimet tona. Këto tryeza nuk është se i shërbejnë ndonjë gjëje thelbësore. Sa kohë jemi parti opozitare në ngritje duam të vijojmë të ecim përpara. Shumë çështje që ndajmë me PD, ne kemi preferuar të ecim përpara,” deklaroi ai.

Sa i përket zgjedhjeve vendore, Kapri theksoi se partia Mundësia nuk përjashton asnjë opsion bashkëpunimi. Ai përmendi edhe situatën në Tiranë, ku sipas tij opozita kishte gjetur një figurë unifikuese. “Çdo mundësi është për zgjedhjet vendore, nuk paragjykojmë gjë. Në bashkinë e Tiranës ishte një kandidat që unifikonte opozitën dhe ende nuk e dimë nëse është Florjan Binaj apo jo. E kemi dhënë mbështetjen dhe nuk do ishte e ndershme në çdo pikëpamje që të tërhiqej një mbështetje pa dhënë një shpjegim,” u shpreh Kapri.

Ai shtoi se kandidatura ishte ndërtuar mbi idenë për të sjellë një figurë jo politike në krye të bashkisë, duke iu referuar edhe sondazheve. “Kandidatura ishte ndërtuar mbi një parim për të provuar me një figurë jo politike. Sondazhi i News24 tregoi se Binaj ishte shumë afër fitores nëse do zhvilloheshin zgjedhjet e pjesshme. Shqiptarët kanë nevojë për një politikë tjetër,” tha ai.

Kapri theksoi se bashkëpunimi në opozitë duhet të ndodhë mbi çështje konkrete, duke përmendur edhe mbështetjen e dhënë ndaj nismave të Partia Demokratike në Parlament. “Në opozitë bashkojnë kauzat. Kur ka pasur kauza të drejta kemi dhënë kapacitetin tonë, p.sh. në nismat e sjella nga PD në Parlament i kemi mbështetur kur ishin të drejta, por na ndajnë edhe aspekte të tjera të PD. Na ndan raporti me drejtësinë, çështja Balluku në qasjen që duhet të kemi. Secili në rrugën e vet,” u shpreh ai.

Sakaq, Kapri bëri të ditur se Partia Mundësia do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore në të gjithë vendin. “Ne do kandidojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore në këshilla bashkiake në çdo bashki, ndërsa do shohim çfarë do bëjmë për kandidatët për kryetarë bashkish,” përfundoi Kapri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb