Mbrëmjen e sotme po zhvillohet protesta e 64-të radhazi përpara godinës së Kryeministrisë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Gjatë fjalimeve të mbajtura nga foltorja e protestës, aktivisti Ilir Xhemalaj ka lëshuar akuza të ashpra ndaj politikës së jashtme të qeverisë si dhe për projektet korruptive në vend.

Xhemalaj u ndal te qëndrimet e Ministrisë së Jashtme për konsullatën serbe në Shkodër, ndërsa denoncoi shfrytëzimin e minatorëve në Bulqizë dhe abuzimet me projektin e Portit të Durrësit.

Ai foli edhe per arrestimin e Ermal Beqirajt, i cili u kap në Francë, ndërsa atje iu sekuestruan disa pasuri, mes tyre edhe një kështjellë.

“Sot ministri i jashtëm doli e u përpoq të shpjegonte reciprocitetin për konsullatën serbe në Shkodër. Duam t’u përsërisim: nuk pranojmë shenja reciprociteti me serbët!

Ne kërkojmë që Vuçiç të dalë të kërkojë falje për gjenocidin mbi shqiptarët! Të kërkojë falje për shprehjen e tij që për çdo serb do të vrasë 100 shqiptarë, të kërkojë falje për deklaratat e ministres së tij për gjenocid mbi shqiptarët. Të kërkojë falje për spastrimin etnik dhe të kthejë eshtrat e shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së Kosovës!

Ndërkohë që jemi në shesh, ne vidhemi. Një hajdut me çizme kishte blerë kështjellë në Francë, aeroplanë, makina luksi me lekët e pensionistëve, me lekët e jetimëve! Ku është shteti? Si ka mundësi ikin këta hajdutë nga Shqipëria e bëjnë jetë luksi dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, ndërkohë që minatorët vdesin nëpër galeritë e vdekjes në Bulqizë për 700 mijë lekë të vjetra?

Si ka mundësi ndërkohë një projekt tjetër korruptiv si ai i Marinës së Durrësit, ku na investoi princi Alabbar, na doli sot e na tha që ka bërë gabim që ka investuar aty, ndërkohë që porti u zhduk?! Hyrja kryesore e Shqipërisë u zhduk, nuk kemi më një port!

Çfarë do të bëjmë, do t’i lëmë të vjedhin akoma? Do t’i lëmë antishqiptarët në pushtet akoma? Ne gjithmonë këtu do të kërkojmë një gjë: dorëheqje”, u shpreh Xhemalaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb