Vijojnë incidentet raciste në Maqedoni. Sipas mediave, një oficer i policisë ka goditur me shkop gome në mënyrë brutale para të gjithë spektatorëve dy basketbollistët e rinj të Klubit basketbollist “Shkupi” pa asnjë lloj preteksti. Gjithashtu ai ka goditur edhe një 11-­vjeçar shqiptar. Incidenti ka ndodhur dje pasdite në orën 17:00 në Kavadar, bën të ditur Zhurnal.

Mjeku i klubit “Shkupi”, Sinan Jusufi, tha se agravimi i situatës kishte nisur që në fillim të ndeshjes sportive. “Fillimisht filluan të shajnë gjithçka ndaj shqiptarëve dhe në një moment gjatë ndeshjes polici sulmon dy basketbollistët tanë që është një tmerr i vërtetë. Por këtu çmenduria dhe stili prej kauboji i policit nuk u ndal por ai filloi ta godasë edhe fëmijën 11-vjeçar. Pas ndeshjes ne donim ta denonconim rastin në policinë e Kavadarit por na thanë ‘ikni sa më shpejtë për shkaqe sigurie’. Kur polici godet sportistët ky është kulmi i çmendurisë”, deklaroi për Zhurnal, mjeku i KB “Shkupi”, Sinan Jusufi.

Gjatë ndeshjes mes klubeve KB “Feni” nga Kavadari dhe KB “Shkupi” nga Shkupi nuk munguan as thirrjet raciste kundër shqiptarëve. Mbi 200 tifozë maqedonas të klubit “Feni” kanë shprehur mllefin e tyre me brohoritje raciste si: “Shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta dinë shqiptarët e shkretë se emri i Maqedonisë nuk do të shuhet”, “Shqiptarëve do t’iu heqim kokën si zog”, etj., raporton Zhurnal.

Situata mund të elektrizohej edhe më tepër por forcat e rendit filluan të largojnë nga tribuna grupin e tifozëve të KB “Feni” me qëllim që të evitohet ndonjë incidenti më i rëndë. Këto thirrje raciste në Kavadar dëshmojnë edhe njëherë se urrejtjet nacionaliste të tifozëve maqedonas nuk do të ndalen dhe siç duket të njëjtat ende po motivohen nga struktura të caktuara të pushtetit, shkruan Zhurnal.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb