Kryeredaktori i gazetës Panorama Aristir Lumezi i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur mbi skandalin e korrupsionit të zbuluar nga News24 në doganën e portit të Durrësit.

Sipas tij ky korrupsion vazhdon të jetë për sa kohë drejtësia nuk po mundet të lëvizë dhe pse pamjet janë konkrete, me emra e figurë dhe duhej që konkretisht prokuroria të niste një hetim.

Ai shtoi se kryeministri ka një praktikë origjinale të tij kur sa herë kapen raste të tilla ka një deklaratë që shkelja e ligjit është individuale dhe do të heqë fajin nga vetja, ndërsa shtoi se Rama e pohon që ka korrupsion me heshtjen e tij dhe nuk bën asnjë veprim.

“Ky korrupsion vazhdon të jetë për sa kohë drejtësia nuk po mundet të lëvizë dhe pse pamjet janë konkrete, me emra e figurë dhe duhej që konkretisht prokuroria të niste një hetim. Në momentin që ata nuk kanë nisur hetimet janë pseudo-prokurori. Ata persona do vazhdojnë të punojnë sepse dogana e mohon dhe prokuroria nuk vepron. Nuk e kuptoj dot se si drejtori i doganës nëse i kapet një punonjës duke marrë ryshfet do të thotë se dhe ai është i përfshirë në këtë aferë korruptive të përditshme.

Kryeministri ka një praktikë origjinale të tij kur sa herë kapen raste të tilla ka një deklaratë që shkelja e ligjit është individuale dhe do të heqë fajin nga vetja. Kryeministri po merret me halle më të mëdha sepse kemi dosjen e inceneratorëve, dosjet e rrugëve, portin e Durrësit. Heshtja kur ka figurë dhe zë dhe veprim të hapur korruptiv, heshtja është pohim. Rama e pohon që ka korrupsion dhe nuk bën asnjë veprim. Ai është një administrator i të mirave publike, nëse ai nuk e bën ai ka humbur besimin e publikut.

Marrëdhënia është e krisur mes Kim dhe Ramës. Disa naivë që kur nisi reforma në drejtësi thanë që kjo do godasë ish-qeverinë dhe se Rama ka imunitet të plotë nga kjo. Ja që janë gabuar dhe këtu po dalim te pjesa që nëse BE apo SHBA e përdorën mazhorancën për të miratuar këtë reformë sot po i thonë Ramës që ka shkelur në dërrasë të kalbur dhe se nuk mund ta zgjedhë ai kreun e SPAK. Kraja vetë ka thënë që ka presion, gjuha e Kim ka ardhur duke u ashpërsuar që faktin se nga një anë inkurajonte SPAK-un dhe nga ana tjetër i kujtonte politikës të mos fuste duart në drejtësi. Ishin sinjalet e një përplasje mes interesash dhe kjo përplasje ka dalë në publik. Deklarata e djeshme e Kim ku tha se duhet të zgjidhet me integritet kreu i SPAK dhe Rama tha që nuk e zgjedhim as ne as ambasadat dhe u tha anëtarëve të KLP-së që të mos dëgjojnë profilet dhe statuset e të tjerëve. Duket e qartë që ka një presion nga qeveria për të zgjedhur njeriun e tyre që t’i mbrojë.

Shumë persona e kanë parë SHBA-në si shpresën e fundit për drejtësinë në vend. Nuk ka qenë e lehtë sepse trashëgojmë një drejtësi të paguar dhe që i shërbente politikës. Sot jemi në një përballje ku Amerika i ka nxjerrë dhëmbët pushtetit. Kjo do jetë beteja që do tregojë nga do anojnë institucionet e reja të drejtësisë. Nëse do anojë te kandidati i qeverisë do kemi kohë të errëta.

Ramën e shqetëson vetëm drejtësia, nuk ka shqetësim tjetër. Qëkur është sulmuar me inceneratorët dhe portin e Durrësit, ku mbi 400 mln euro i jepen një personi në kërkim, kjo drejtësi duhet të vendosë për këto afera”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: