Erl Murati kryeredaktor i Gazetës Shqiptare, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka komentuar situatën dhe ngjarjet e fundit politike në vend.

Ai ka deklaruar se tensionet e fundit ishin të pritshme, për sa kohë diçka e ngjashme ndodh çdo herë që kemi vit elektoral, pra çdo dy vite.

Megjithatë ai ka vlerësuar se ka qenë skandali McGonigal ai që i ka hedhur “benzinë zjarrit”.

“Kjo që po përjetojmë situatë e parashikueshme sepse është vit elektoral. Ajo që i hodhi benzinë zjarrit ishte skandali McGonigal, më pikëpyetjet dhe paqartësitë e veta.

Një faktor tjetër që ndikon është se cila do jetë PD që do kandidojë në zgjedhje, pra KQZ do pranojë listën e Berishës apo Alibeajt.

Kemi një mocion me debat për datën 2 mars por ende nuk ka siguri që kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm.

Kryeministri ka detyrim kushtetues të japë llogari para Parlamentit. kuvendi ka detyrë t’i kërkojë llogari qeverisë dhe Rama është i detyruar t’i japë llogari opozitës. është detyra e tij nuk po i bën nder opozitës.

Jam skeptik në lidhje me faktin nëse Rama do të jetë i pranishëm në interpelancën me debat. Kjo u la të kuptohet në intervistën e tij të fundit.

Me përjashtimin e deputetëve, gjysma e grupit të PD ndalohet të hyjë në Parlament e të marrin pjesë në seancë. E quaj anormale nëse Rama do bënte një seancë pyetje përgjigje vetëm me Alibeajn.

Nuk ka pasur kurrë një përjashtim masiv të tillë të deputetëve. Është e padrejtë që të vijojnë të përjashtohen nga punimet normale të Kuvendit. Mazhoranca i ka votat për të përjashtuar të 59 deputetët e opozitës nga Kuvendi, por kjo nuk është normale.

Ish shefi i kundërzbulimit ka dy dosje, lobimi me Deripaskën dhe dosja e dytë, aktiviteti i tij në Shqipëri dhe trafiku i influencës paratë e marra nga njerëz të afërt të Ramës.

Në këtë situatë është i implikuar edhe Rama. Nuk kemi një akuzë penale, por opinioni publik ka të drejtë për transparencë.

Presim ardhje te informacioneve të reja nga SHBA”, ka deklaruar ai.
Murati ka folur edhe në lidhje me drejtësinë në vend. Ai tha se pavarësisht gjithçkaje, edhe pas 6 viteve që ka nisur, Reforma në Drejtësi nuk ka dhënë rezultatet që qytetarët dhe ndërkombëtarët prisnin.

“Reforma në drejtësi ka nisur më shumë se 6 vite më parë. Duhej të kishte prodhuar rezultatet e para. Drejtësia është ende larg asaj që presin shqiptarët. Jemi një nga vendet më të korruptuara të Europës, sepse kemi një klasë politike të korruptuar që e kthyen korrupsionin në sistem.

Para 2013 Rama kishte premtuar krijimin e një sistemi që do ta ndalonte korrupsionin, por jemi dëshmitar që kjo nuk është zbatuar, mjafton ti referohemi raporteve të KLSH. Pra reforma në drejtësi nuk ka sjellë atë që prisnim të gjithë”, ka deklaruar ai.

Murati ka folur edhe mbi protestat e opozitës dhe atë që pritet të ndodhë në 3 mars, kur opozita ka paralajmëruar se nëse ajo që është quajtur revolucion nga opozita vijon, rrezikon të ketë efektin e kundërt në zgjedhjet e 14 majit, duke eklipsuar fushatën e kandidatëve të opozitës.

“Protestat janë natyrale në një vend demokratik. Është normale të mbahen edhe në vendin tonë, problemi është kur kthehen në qëllim në vetvete.

Sfida e opozitës sot nuk është mbajtja e protestave por zgjedhjet e 14 majit.

Pas rreth një muaji nis fushata elektorale. Nëse vijon Revolucioni, mund të eklipsojë fushatën e kandidatëve të opozitës”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb