TIRANË

Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me skandalin e dhënies së tenderit për përgatitjen e menusë së kuzhinës tradicionale shqiptare me vlerë prej rreth 500 mijë dollarësh bashke me tvsh, kuzhinerit Alfio Rrotani i punësuar pranë restorantit të djalit të vetë drejtorit te ketij institucioni, Dritan Agolli.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka hapur procedurën brenda programit të 100 fshatrave, duke gjetur preteksin për të hartuar një menu për të krijuar menunë e 100 fshatrave. Sipas dokumenteve paratë do të shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të Menusë 100 Fshatra, realizimin e një dokumentari me seri dhe promovime në rrjetet sociale.

Në shkresat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk del qartë se si ka dalë kjo kosto, vetëm thuhet se libri do të jetë i konceptuar si një udhëtim turistiko – gastronomik në 100 Fshatrat, me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guide turistike, në version print dhe online. Ndërsa dokumentari do të copëtohet në 12 seri.

Dyshimet për shpalljen e fituesit të tenderit janë për një qark të shkurtër mes drejtorit tw Fondit Shqiptar tw Zhvillimit dhe shefit të kuzhinës Alfio Rrotani. Ky i fundit është adminsitrator dhe ortak kryesor i kompanisë Maskarpone, fituese e tenderit, ndërkohë që ka punuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hamallaj tek gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agolli, i biri i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Është vetë ky restorant që ndodhet brenda një resorti turistik, që ka reklamuar në faqen e tij të facebook shërbimet e shefit të kuzhinës Alfio Rrotani teksa përgatit tavolinat, apo kur prezantohet bashkë me stafin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb