Skandal me drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi, i cili i ka emëruar në krye të një prej drejtorive më të rëndësishme një inspektor tatimor të arrestuar më parë nga policia për favorizim të bixhozit dhe shpërdorim detyre në 2015.

Bëhet fjalë për drejtorin e Verifikimit në Terren dhe Koordinimit, Trëndafil Tarja, i cili nga përgjegjës sektori është graduar nga Ceno Klosi në krye të një prej drejtorive kryesore në Tatime. Në 2015 Trëndafil Tarja ishte arrestuar me bujë së bashku me 10 tatimorë të tjerë teksa u kapën duke favorizuar biznese të lojërave të fatit, dhe u akuzua për shpërdorim detyre.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për operacion e policisë të koduar “Stop”, se si Trëndafil Tarja dhe tatimorët e tjerë kishin ngritur kundrejt ryshfetit një skemë favorizimi biznesesh, ku lajmëronin subjekte të ndryshme çdo ditë se ku do të bëheshin kontrolle në terren me qëllim që t’i shpëtonin kompanitë e basteve nga gjobat.

Ndoshta kjo eksperiencë e Trëndafil Tarjes si njohës i mirë i terrenit, ka bërë që Ceno Klosi ta emërojë në krye të drejtorisë së Verifikimit në Terren dhe Koordinimit. Po ashtu Trëndafil Tarja është një militant i vijës së parë i Partisë Socialiste duke marrë pjesë në aktivitete fushate.

  • foto galeri
  • foto galeri

Emërimet e Ceno Klosit në administratën e tatimore po degradojnë dita ditës me punësime me të shkuar kriminale, nepotike dhe në konflikt interesi. Klosi ka emëruar në drejtorin kyçe të Rimbursimit të TVSH kushëririn e tij Gjergji Smokthina, ndërsa pak ditë më parë u zbulua se Ceno Klosi kishte punësuar si këshilltar Mikel Lesaj, i cili deri në 28 janar 2022, rezulton të jetë ortak në biznes me vëllain e kreut të Tatimeve, Genti Klosi.

Lidhjet nepotike të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve janë konsoliduar me emërimin si këshilltar të tij të Mired Reçit, i cili është djali i tezes i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Por përveç lidhjeve nepotike Mired Reçi rezulton se ka qenë aksioner në dy kompani të hapura në Shqipëri.

Bëhet fjalë për kompaninë “XL MARKET” shpk, dhe “Hippo Tregu Elektrik”, shpk, ku Mired Reçi ishte aksioner deri vonë me 49%, ndërsa ortaku tjetër ishte Meland Qirko, kunati i zv. kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe bashkëshort i Pamela Qirkos, e motra Ballukut.

Skandali thellohet, pasi dy kompanitë ku ka qenë pronar Mired Reçit janë subjekt i mundshëm kontrolli nga administrate tatimore, aty ku ai është i punësuar në një prej niveleve më të larta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb