Zbardhen të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e paprecedentë që ndodhi dje në burgu e sigurisë së lartë të Peqinit, ku një i dënuar me burgim të përjetshëm vrau një të burgosur dhe plagosi një tjetër. Në një lidhje live për News24 gazetarja Klodiana Lala risolli edhe një herë dinamikën e ngjarjes, me detaje të reja. Ajo tha se për një periudhë disa javore skaneri i burgut nuk ka punuar, po ashtu edhe disa kamera, gjë që edhe lehtëson futjen e sendeve të paligjshme në burg.

Duke u ndalur te skenari që ndoqi Sokol Mjacaj dje në burg, mësohet se ai ka nisur zbatimin e planit të tij sapo kishte hyrë brenda nga ajrimi. Pasi e kishte thirrur objektivin e tij në emër dhe ky i fundit kishte dalë te dritarja e qelisë, kishte hapur zjarr ndaj tij. Mjacaj qëlloi 5 herë me armë në drejtim të Arben Lleshit, ku 3 plumba e kapën, ndërsa ndërroi jetë në spital. Sakaq, një plumb kapi edhe Indrit Shaqjan, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq, duke mos u mjaftuar me kaq, Mjacaj ka shkuar në një tjetër dhomë, ku ka kërcënuar gardianët dhe të burgosurit, madje edhe familjarë që ishin ndodhur vizitorë dje në burg, dhe është dorëzuar pasi ka zbarkuar RENEA.

Ndonëse Mjacaj deklaroi para hetuesve të çështjes se e kishte vrarë Lleshin pasi ky i fundit nuk donte që të ishin në një sektor, prokuroria nuk e pranon këtë pistë dhe se ka prova që ai është paguar nga dikush tjetër për të kryer krimin. Lala tha se hetimi do të tregojë se cilët janë përgjegjësit, ndërsa bëri me dije se mbrëmë janë shoqëruar 18 punonjës të burgut të Peqinit, civilë dhe policë. Ajo nuk përjashtoi mundësinë se disa prej tyre mund të arrestohen.

“Ngjarja ishte mbajtur në sekret të plotë, pasi unë u informova vetëm pas 1 ore nga një i dënuar.” -tha Lala. Sipas burimeve të News24, rezulton se ngjarja ka ndodhur në 13:52 minuta, ndërkohë në 13:18 minuta, zyrtarisht ministri Manja kishte njoftuar transferimin e tij Mjacajt në regjimin 41 bis.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: