Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 14:50 të kësaj të shtune në një lokal të frekuentuar në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se një person ka tentuar të vrasë me armë zjarri një tjetër person.
Personi i dyshuar si autor, dyshohet se ka dalë nga lokali me armë në dorë dhe, në momentin kur ka tentuar të qëllojë në drejtim të objektivit, arma tip pistoletë dyshohet se i është bllokuar.
Pas marrjes së informacionit, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe, sipas të dhënave paraprake, ka identifikuar personin e dyshuar si autor.
Forcat e rendit po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetuesit po mbledhin prova dhe dëshmi për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Motivi i incidentit mbetet ende i paqartë. Grupi hetimor po verifikon nëse mes personave të përfshirë ka pasur konflikte të mëparshme apo nëse ngjarja ka ardhur për shkak të ndonjë rrethane tjetër.
