Trajneri i Partizanit, Skënder Gega në një prononcim pas fitores kundër Kastriotit u shpreh se është shumë i lumtur për tre pikët, por jo për ndeshjen e zhvilluar. Gjithashtu, Gega komplimentoi edhe talentin Malaj.
“Ne e filluam shumë mirë pjesën e parë, sepse mendoj se është kryesore, mund ta mbyllnim që aty, kemi probleme në finalizim, edhe pse sot dolëm mirë në pjesën e parë, ishte moment i mirë për të goditur, në pjesën e dytë lamë shumë hapësira dhe u tërhoqëm mbrapa. Kishte lodhje dhe u pa qartë që mesfusha toleroi, la hapësira. Ishte një pjesë e dytë që nuk do të dëshiroja ta shihja më. Mala? Jam jashtëzakonisht i kënaqur për sjelljen e tij në fushë. Është një djalë me vlera dhe profesionist, edhe pse është vetëm 20 vjeç. E provuam që të dilnim me Trashin nga krahët, në pjesën e parë ia dolëm, rrezikuam disi me këtë mënyrë. Loja në sulm lë pak për të dëshiruar, nuk dua të rëndoj askënd, por lojtarët me tipare sulmuese duhet t’i shfrytëzojnë rastet që u vijnë. Gjë e mirë kur sheh 19-vjeçarë në fushë. Kodra ka ardhur nga të rinjtë. E futa në një situatë ku ekipi ishte nën presion, por në stërvitje më ka treguar që mund të bëhet shpejt pjesë e grupit kryesor. Ndoshta ekipi mund ta ndihmonte më tepër. Edhe në konferencën për shtyp kam përsëritur që dëshira ime ishte që përveç këtyre lojtarëve të ishte një listë tjetër me më shumë kualitet, por ndoshta ishin kërkesa të larta për buxhetin e klubit, kështu funksionon. Unë kam shpresë që secili nga ne, çdo lojtar të rritet, kështu edhe unë mësoj dhe në çdo ndeshje nxjerr konkluzione. Është një tre pikësh që na lejon të jemi të qetë. Nuk mund të them se ky ekip është për kampion pas javës së tretë, por shohim përpara. Nuk jam i kënaqur për 90 minutat e zhvilluara përveç trepikëshit sepse pjesa e dytë shfaqi probleme që duhen rregulluar. Kam 11 lojtarë në fushë dhe 7 në pankinë dhe objektivi është të arrijmë me sukses ta mbyllim ndeshjen. Kur Hebaj bën maksimumin, besoj është momenti ta zëvendësoj, nuk është nxjerrë asnjëherë para kohe. Ai kishte kohën e mjaftueshme, nuk është kjo pritshmëria që kemi nga Hebaj. E aktivizoj sepse besoj te ai, i duhet kohë për t’u përshtatur, isha i gëzuar që erdhi. Nuk luajmë me dy sulmues, është proces i gjatë të përshtatet. Do të kisha dëshirë të ingranohej shpejt dhe do të jetë pjesë kryesore e projektit tim sa të jem unë trajner i këtij ekipi. Asani është një lojtar që kur ka topin, ka vlerat, teknikën dhe shpejtësinë. Ka problem kthimin në mesfushë, edhe ai është një person që duhet të punojë, të bëjë disa korrigjime. Kam besim se do të përshtatet dhe vlerat që ka t’i shfrytëzojë për ekipin. Gjatë stërvitjes i tërheq vëmendjen, një procedurë do të doja ta korrigjonte, duhej të ishte më aktiv. Këtë gjë e kishim biseduar, por jo gjithçka shfaqet si në stërvitje, është e metë dhe duhet të punojmë për të”,- përfundoi tekniku Gega. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb