Formula 1 mund të flasë së shpejti edhe në gjuhën kineze. Pas shumë spekulimeve të muajve të fundit, gjiganti automobilistik BYD, i cili sapo ka kaluar Teslën duke u bërë prodhuesi më i madh në botë i automjeteve elektrike, ka dalë hapur për t’u futir në F1: “Është një mundësi që po e shqyrtojmë seriozisht”, deklaroi zëvendëspresidentja Stela Li, duke lënë të kuptohet se ideja për të debutuar si skuadra e 12-të në startin e Formulës 1 nuk është më thjesht një hipotezë për markën aziatike.

Dhe pas këtij projekti mund të qëndrojë edhe ish-numri një i Red Bullit, Kristian Horner, i vendosur të rikthehet në Formula 1 pas largimit të bujshëm vitin e kaluar.

PLANI – Por le të kthehemi një hap pas. Qoftë për shkak të shitjeve rekord, qoftë për zgjerimin e shpejtë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje me anije cargo që transportojnë mbi nëntë mijë makina secila, emri i BYD prej kohësh lidhet me Formulën 1. Në “paddock” përflitej për një interesim kinez ndaj kuotës 24% të skuadrës Alpine, të nxjerrë në shitje nga “Otro Capital”, për të cilën ka interes të fortë edhe Mercedesi. Megjithatë, ideja e grupit të drejtuar nga Vang Çuanfu mund të ketë marrë një drejtim tjetër, edhe më ambicioz. Sipas asaj që raportojnë britanikët e “The Race”, BYD po shqyrton mundësinë e krijimit të një skuadre krejtësisht të re, e gatshme të hyjë në Formula 1 si ekipi i 12-të në kampionat. “Do të ishte një laborator i shkëlqyer për të testuar teknologjitë tona”, konfirmoi Stela Li në një prononcim për “Sport Mediaset”. Dhe pikërisht këtu hyn në skenë Kristian Horner. Menaxheri britanik, pasi u largua nga Red Bulli në mes të sezonit të kaluar, është detyruar të presë skadimin e disa klauzolave të moskonkurrencës të parashikuara në kontratën me ishekipin e tij, duke u bërë vetëm tani i lirë për të marrë një rol të ri në Formula 1.

ROLI I HORNERIT – Por Horner nuk do të kënaqej vetëm me rolin e shefit të skuadrës. Britaniku synon një post drejtues të nivelit më të lartë, të ngjashëm me atë që kishte në Milton Keynes, ku ushtronte edhe funksionin e administratorit ekzekutiv të skuadrës. BYD do t’i ofronte atij mundësinë për të ndërtuar një ekip nga e para, ashtu siç ndodhi në vitin 2005 me Red Bullin. Nuk është rastësi që Horner ka qenë i ftuar në disa mbrëmje gala të organizuara nga marka kineze në Kanë, gjatë Festivalit të Filmit, ku janë publikuar edhe video në rrjetet sociale së bashku me Stela Li. Sipas “The Race”, të dy kanë diskutuar pozitivisht mbi mundësinë e një bashkëpunimi për krijimin e skuadrës së re të BYD, ndërsa kontaktet e para me presidentin e Formula 1, Stefano Domenikali, mund të jenë zhvilluar që gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Kinës.

REAGIMET NË FORMULA 1 – Por çfarë mendon Formula 1 për këtë projekt? Ashtu si ndodhi më parë me Mario Andretin, F1 ka të drejtën të konsiderojë një kandidaturë të re si të papërshtatshme për hyrje në “Circus”. Gjithashtu, është e mundur që skuadrat ekzistuese të mos jenë të gatshme të ndajnë të ardhurat e kampionatit me një ekip të 12-të. Nga ana tjetër, presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, ka lënë të kuptohet se ekzistojnë mundësi reale për një hyrje të tillë. “Nëse një prodhues kinez do të ishte i interesuar, jam i sigurt se F1 do ta pranonte. Sepse, me një skuadër të re nga Kina, a nuk do të vinin më shumë të ardhura? Unë besoj se po”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb