Republika e Sllovakisë përmes agjencisë Slovak Aid i ka dhuruar Maqedonisë së Veriut një donacion prej 4 respiratorëve në kuadër të Fondit të Mirëbesimit të Përgjigjesisë Pandemike të NATO-s (PRTF), me qëllim të përballimit me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Dorëzimi i respiratorëve u bë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku i pranishëm ishte ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korçok, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

Në fjalën e tij, kryediplomati sllovak tha se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme, duke shtuar se Sllovakia e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE).

Ai tha se si e gjithë bota, edhe Sllovakia po përballet me vështirësi të mëdha shkaku i pandemisë, por theksoi se ky është një moment në të cilin duhet demonstruar se miqtë i ndihmojnë njëri-tjetrit.

“Sllovakia po përballet me vështirësi për t’u ndihmuar qytetarëve të saj, por ne nuk harrojmë se ashtu si neve na ofrohet ndihmë, ne duam t’u ndihmojmë të tjerëve. Kjo është arsyeja, jam i lumtur të bëj donacion në emër të qeverisë sllovake 4 respiratorë të teknologjisë së gjeneratës së re, të cilët shpresoj se do t’u ndihmojnë të shpëtoni jetën e qytetarëve tuaj që janë në gjendje kritike”, tha Korçok.

Duke theksuar se respiratorët janë pjesë e Fondit të Mirëbesimit të Përgjigjes Pandemike të NATO-s, kryediplomati sllovak tha se ato kanë vlerë prej rreth 100 mijë eurove.

Ministri Filipçe falënderoi popullin dhe shtetin sllovak për donacionin, duke theksuar se respiratorët do të shpërndahen në spitalet ku ka më së shumti nevojë.

“Kjo është një dëshmi se kur kështu kujdesen miqtë, atëherë ata me të vërtetë shërbejnë dhe janë aty kur është vërtet e nevojshme. Faleminderit edhe një herë, besoj se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në këtë fushë, edhe në fushat tjera midis dy vendeve”, tha Filipçe.

Ndërkohë, zv/kryeministri Dimitrov mirënjohje për mbështetjen e ofruar si në integrimet evropiane, ashtu edhe përmes 3 donacioneve që qeveria sllovake ia ka ofruar deri më tani Maqedonisë së Veriut për t’u përballur me pandeminë.

“Është mirë të keni miq, është mirë të keni miq të afërt. Ky donacion vjen përmes sistemit të NATO-s, donacioni i mëparshëm erdhi përmes sistemit të mbrojtjes civile të BE-së. Është veçanërisht mirë të keni miq të afërt që mendojnë për ne edhe kur ata janë në vështirësi”, tha Dimitrov.

Gjatë vizitës së tij njëditore në Maqedoninë e Veriut, kryediplomati sllovak u takua gjithashtu edhe me kyreministrin Zoran Zaev dhe homologun e tij Bujar Osmani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb