Sllovakët filluan të votojnë sot në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, një votim që i ngjan një konfrontimi midis një përfaqësuesi të kampit qeverisës, i afërt me Rusinë dhe një kandidati pro Ukrainës, i mbështetur nga opozita.

Sipas sondazheve, kryetari i parlamentit, Peter Pellegrini vlerësohet me 37% të pëlqimeve, krahasuar me 36% për Ivan Korçok, një ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe diplomat me përvojë.

Nëse asnjë nga nëntë kandidatët në garë nuk merr më shumë se 50% të votave, një raund i dytë do të jetë i nevojshëm më 6 prill.

Votimi përfundon në orën 22:00 (21:00 GMT) dhe nuk priten exit poll-e.

Pellegrini, ish-kreu i qeverisë, ka mbështetjen e kryeministrit aktual populist Robert Fico, i cili refuzon t’i japë asnjë ndihmë ushtarake Ukrainës, ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e këtij vendi dhe ka bërë thirrje për paqe me Rusinë.

Korçok, nga ana tjetër, mbron çështjen ukrainase. Ai ka pikëpamje të ngjashme me ato të presidentes në largim Zuzana Caputova, një kritike e zëshme e qeverisë, e cila ka vendosur të mos kërkojë një mandat të dytë.

Ndër kandidatët e tjerë në garë, euroskeptiku Stefan Harabin, 66 vjeç, i cili ka lavdëruar hapur presidentin rus Vladimir Putin, vjen i treti në sondazhe.

– Fico 2.0 –

Në Bratislavë, Tomas Gubala, një inxhinier kompjuteri, votoi për Korcok, sipas tij “i vetmi opsion i mundshëm sepse Pellegrini është në thelb një Fico 2.0”.

Sipërmarrësi Roman Gejdos, nga ana e tij, mbështet Pellegrinin duke e quajtur atë “kandidatin më të mirë të mundshëm”.

“Kam besim të plotë tek ai. Ai ka përvojë të madhe në menaxhimin e vendit, krahasuar me kandidatët e tjerë”, tha ai.

Analistët theksojnë se një kryetar shteti që miraton politikën e Robert Ficos mund të forcojë qëndrimin anti ukrainas të këtij vendi me 5,4 milionë banorë, anëtar i NATO-s dhe BE-së.

”Nëse Pellegrini fiton, Sllovakia mund të ndiqte rrugën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban në aspektin e politikës së jashtme”, komenton analisti, Tomas Koziak.

Hungaria kritikohet rregullisht brenda BE-së për shkelje të shtetit të së drejtës dhe vendime që pengojnë përpjekjet në favor të Ukrainës.

Lufta në Ukrainën fqinje ndau sllovakët gjatë fushatës zgjedhore.

Gjatë debatit të fundit përpara votimit, Pellegrini, 48 vjeç, bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm dhe hapjen e negociatave të paqes” midis Kievit dhe Moskës.

Një qëndrim i denoncuar nga Korçok, 59 vjeç.

“Federata Ruse ka shkelur ligjin ndërkombëtar (…). Unë nuk mendoj se Ukraina duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për të arritur paqen”, tha ai.

– Korrupsioni –

Korçok mbështetet nga opozita, e cila konsideron se një fitore e Pellegrinit do t’i hapte rrugën dhënies së faljes presidenciale për aleatët e pushtetit fajtorë për korrupsion.

Me kalimin e viteve, Robert Fico i lejoi Pellegrinit të merrte poste të ndryshme, përfshirë atë të kryetarit të parlamentit.

Vetë ky i fundit u bë kryeministër pas rënies së qeverisë Fico në vitin 2018, pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij.

Kjo aferë shkaktoi demonstrata të mëdha të cilat detyruan Robert Fico të jepte dorëheqjen, pasi gazetari kishte punuar në lidhjet midis partisë së tij Smer-SD dhe mafies italiane.

Megjithëse funksionet e tij janë kryesisht ceremoniale, kreu i shtetit sllovak ratifikon traktatet ndërkombëtare, emëron gjyqtarët kryesorë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb