Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale ka vijuar me akuza të forta nga ana e Partisë Demokratike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është përgjigjur reagimit të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar procesin e konsultimit publik si një “fasadë të paracaktuar, njësoj si tenderat e Belindës”.

Bardhi është ndalur edhe te protestat e anëtarëve dhe kryebashkiakëve socialistë në disa rrethe, duke deklaruar se reagimi i tyre nuk lidhet me “gojëdhënat” siç ironizon Rama, por me refuzimin për t’u përdorur si “kavje” të vendimeve të ekzekutivit. Sipas tij, zgjidhja e vetme për këtë reformë është përballja me qytetarët përmes një referendumi.

Reagimi i plotë i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

“Për flamingot socialistë të bashkive në protestë!

Edi Rama nuk po zhvillon një konsultim për hartën administrativo-territoriale. Po zhvillon një konsultim formal për një vendim të paracaktuar, njësoj si tenderat e Belindës. Prandaj edhe tallet me ata që flasin. Sepse Edi Rama nuk ka ndërmend të dëgjojë askënd që mendon ndryshe prej tij dhe prek interesat e tij të ngushta.

Nëse konsultimi do të ishte i sinqertë, kryeministri nuk do t’i kërcënonte kryetarët e bashkive dhe socialistët 24 karatësh që kundërshtojnë projektin e tij. Minimalisht, do t’i dëgjonte dhe do të reflektonte.

Socialistët nuk i dogjën teserat e PS-së as për historinë, as për gojëdhënat, as sepse u dhimbsen 2 mijë dëshmorët që nga antikiteti, siç ironizon Edi Rama. Socialistët u bënë flamingo, sepse refuzojnë të bëhen sërish kavje për vendimet e çmendura të kryetarit dhe kryeministrit të tyre.

Socialistët, demokratët, ata qytetarë të tjerë pa parti nuk po kërkojnë privilegje. Ata po ngrenë shqetësime për një reformë që e largon vendimmarrjen prej tyre, dobëson përfaqësimin e tyre dhe rrezikon t’i lërë ata me më pak shërbime.

Për këto shqetësime, Edi Rama nuk jep asnjë përgjigje. Përkundrazi, zgjedh t’i përqeshë, si gjithmonë, kur argumentet nuk janë në anën e tij.

Një reformë administrativo-territoriale duhet të ndërtohet mbi interesin e qytetarëve: shërbime më të mira, përfaqësim më të drejtë dhe pushtet vendor më funksional. Jo mbi interesin e kryeministrit për të vizatuar një hartë që i shërben llogarive të tij elektorale.

Në vend që të harxhojë kohën me konsultime të paracaktuara, Edi Rama nuk duhet të fshihet pas votës së Parlamentit noter. Le të shkojë të përballet me qytetarët në referendum.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb