Një avion ushtarak turk ka arritur në kryeqytetin e Somalisë duke sjellë ndihma pas sulmit terrorist që shkakoi rreth 80 viktima.

“Avioni i Forcave të Armatosura Turke që transportoi personel dhe pajisje të shërbimeve shëndetësore kanë mbërritur në Mogadishu në një përpjekje për të ofruar mbështetje për vëllezërit tanë somalezë të plagosur gjatë sulmit terrorist me bombë në Somali”, thuhet në një postim në Twitter të Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kufomat e dy shtetasve turq të vrarë në sulmin terrorist do të kthehen në Turqi, si dhe 16 somalezë të plagosur do të transportohen në Turqi për trajtim mjekësor.

Duke komentuar sulmin vdekjeprurës, ambasadori i Turqisë në Mogadishu, Mehmet Yılmaz, tha se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Somalisë.

Ai tha se aktualisht rreth 50 somalezë trajtohen në Spitalin “Recep Tayyip Erdoğan” në Somali.

Spitali me kapacitet prej 200 personave, i emëruar sipas presidentit të Turqisë dhe i ndërtuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), drejtohet nga Ministria e Shëndetësisë së Turqisë dhe pjesërisht financohet nga Turqia.

Që nga viti 2011, Turqia ka marrëdhënie të fuqishme me Somalinë, ku TIKA ka marrë pjesë në mbi 150 projekte në shtetin afrikan.

Duke përmendur sulmin vdekjeprurës të tetorit të vitit 2017 në Mogadishu, gjatë të cilit humbën jetën më shumë se 600 persona duke u bërë sulmi më vdekjeprurës në vend, ambasadori tha se Turqia edhe më herët ka zgjatur dorën e ndihmës për Somalinë.

Gjatë ditës së djeshme, një sulm vetëvrasës në një pikë kontrolli të sigurisë në Mogadishu vrau dhjetëra persona, duke përfshirë dy shtetas turq, si dhe plagosi shumë të tjerë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb