Edhe një herë them e nuk e tërheq asnjë presje: polemikat intestine (që ngjajnë si ngatërrim zorrësh) midis faktorëve politikë në vendin tonë sot për sot nuk janë të mirëpritura, përveçse prej mendjeve të sëmura, militante e delirante.

Nevojiten burra dhe gra shteti që merren vesh e jo heronj të vetëshpallur që mendojnë se do të shpëtojnë kombin me vetëm vizionin e tyre.
Më shumë se kurrë sot nevojitet kohezion e sidomos politika që kanë si synim shtresat e varfra të vendit të cilat këto ditë po varfërohen akoma edhe më shumë. Ka shumë frikë e kjo dallohet të rendja drejt magazinave të miellit apo drejt dyerve të institucioneve të bamirësisë.

Sot të pasurit duhet të lëshojnë pe e të mos mendojnë se duhet të fitojnë si në kohë paqeje. Po na kërkohet kjo sakrificë të gjithëve e duhet ta bëjmë. Është për të mirën e shoqërisë, sepse ju garantoj që fuqia e një të urituri, sidomos kur bëhet fjalë për bukën e fëmijëve, është shkatërruese. Nëse nuk duam ta provojmë këtë shkatërrim të mos e provokojmë atë fuqi.

Kemi nevojë për paqe në këto momente e jo për gërgasës apo bullizues, për spekulatorë e babëzi. Ka një kohë për të gjitha e kjo duhet të jetë koha e solidaritetit e kujdesit për më të dobëtit, parime mbi të cilat themelohet një shoqëri njerëzore vërtetë e tillë. Duhet të jetë koha e dialogut dhe marrëveshjes e kjo duhet të ndodhë sot, në mënyrë që nesër të mos jetë vonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb