Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga varrimi i liderit opozitar rus, Alexei Navalny, ekipi i tij ka thënë se ata vazhdojnë të përballen me vështirësi në organizimin e ceremonisë së lamtumirës. Zëdhënësja e tij Kira Yarmysh tha se ata nuk kishin mundur të gjenin një makinë për ta çuar trupin në kishë. “Njerëz të panjohur po telefonojnë dhe kërcënojnë kompanitë e shërbimeve funerale nëse pranojnë të marrin trupin e Alexeit,” tha zonja Yarmysh.

Varrimi është planifikuar të bëhet të sot në Maryino, në periferi të Moskës. Të mërkurën, ekipi njoftoi se shërbimi përkujtimor do të mbahej në orën 14:00 me orën e Moskës në Kishën e Ikonës së Zojës, Shuaj Dhimbjet e Mia. Varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Borisovskoye rreth orës 16:00. Shërbimi i varrimit do të transmetohet gjithashtu në internet në kanalin e Navalny-t në YouTube. Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus brenda Rrethit Arktik. Ai ishte burgosur për tre vjet me akuza të sajuara.

Ekipi i tij – i cili ka inkurajuar njerëzit të marrin pjesë – ndau një hartë të itinerarit midis dy vendeve. Ata ndanë gjithashtu një listë të shteteve, nga Seuli në Romë, Montreal dhe Stokholm – ku njerëzit mund të bashkohen me shërbimet përkujtimore për Navalny. Është e paqartë se sa njerëz do të marrin pjesë në funeralin e kundërshtarit të ashpër të Putinit. Duke folur për BBC Neëshour, ish-shefi i shtabit të Navalny, Leonid Volkov tha se ishte i shqetësuar për atë që mund të ndodhte gjatë ceremonisë në Moskë. “Kam frikë se priten surpriza… sinqerisht, ndërsa flas tani, nuk e di nëse ato do t’i lejojnë njerëzit t’i thonë lamtumirë Alexeit,” tha ai. Ai shtoi se ekipi i Navalny-t ishte gjithashtu i shqetësuar se mund të lindnin probleme me kishën ku po mbahet shërbimi.

Në mars 2015, mijëra njerëz u rreshtuan në rrugë për të bërë homazhe ndaj politikanit të vrarë të opozitës Boris Nemtsov, por nuk ka gjasa që ndonjë shpërthim i ngjashëm publik për një kundërshtar të Presidentit Vladimir Putin, të lejohet. Në vitet e fundit, autoritetet ruse kanë goditur çdo veprim që mund të interpretohet si kritikë ndaj qeverisë. Përpjekjet për të përkujtuar vdekjen e Navalny-t u pritën nga një përgjigje e ashpër, me qindra të arrestuar. Fotot që qarkulluan në mediat sociale pasditen e së enjtes treguan një prani të madhe policie dhe barriera që prisnin të vendoseshin si pranë kishës ku do të mbahet shërbimi përkujtimor, ashtu edhe në varrezat ku do të varroset Navalny. Kanali Telegram RusNews tha gjithashtu se kamerat e vëzhgimit ishin instaluar “në çdo dritë rruge” që rrethon varrezat.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: