Protesta e 107-të kundër qeverisë së Edi Ramës po zhvillohet sot në Tiranë, ndërsa qytetarët kanë përcjellë mesazhe të forta përmes pankartave të vendosura në shesh. Kritikat e protestuesve janë përqendruar te çmimet e larta, taksat dhe situata ekonomike në vend, ndërsa një tjetër mesazh i drejtohet SPAK-ut.
Në një prej pankartave, qytetarët ironizojnë çmimin e naftës, duke e krahasuar atë me pagat në Shqipëri. “Nafta si në Londër, rrogat si në mjerim. Me taksat e karburantit, meritoni vetëm përçmim”, shkruhet në pankartë.
Një tjetër pankartë i drejtohet SPAK-ut dhe kërkon që institucionet e drejtësisë të fokusohen te personat që, sipas protestuesve, kanë abuzuar me shtetin, dhe jo te qytetarët që dalin në protestë.
“SPAK, të mos arrestohet populli që kërkon të vërtetën, të prangosen ata që na vjedhin shtetin dhe jetën”, thuhet në pankartë.
Mesazhet e qytetarëve vijnë në kuadër të protestës së 107-të, e cila vijon me kërkesën për largimin e qeverisë së Edi Ramës.
