Një koment i bërë në profilin zyrtar të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku po bën xhiron e rrjetit. Një qytetare i ka drejtuar ish-zyrtares së lartë, tashmë e akuzuar zyrtarisht nga SPAK, të vërtetat mbi korrupsionin, imunitetin politik dhe reagimin e mediave ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, qytetarja rrëzon propagandën e qeverisë se protestat apo raportimet mediatike dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, duke vënë gishtin te skandalet që kanë përfshirë kupolën e rilindjes dhe mbrojtjen politike që po u bëhet subjekteve të drejtësisë.
Qytetarja i kujton Ballukut se mediat prestigjioze botërore nuk po merren me videot e rrjeteve sociale, por me faktin se si pushteti politik bllokoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Komenti i plotë:
“Znj. Balluku, Imazhi i Shqipërisë nuk dëmtohet nga qytetarët që protestojnë dhe as nga mediat që raportojnë. Imazhi i Shqipërisë dëmtohet kur media ndërkombëtare raporton se SPAK ngre akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa pushteti politik vihet në lëvizje për t’i mbrojtur ata.
Reuters, Washington Post, AP dhe media të tjera nuk po flasin për Shqipërinë për shkak të disa videove në rrjetet sociale. Ato po flasin për Shqipërinë sepse një zëvendëskryeministre u vu nën hetim nga SPAK, sepse u kërkua heqja e imunitetit të saj dhe sepse kjo kërkesë u bllokua politikisht.
Në çdo demokraci europiane, pyetja që shtrohet nuk është: “Pse protestojnë qytetarët?”, por: “A janë të gjithë të barabartë përpara ligjit?”.
Nëse qeveria është e bindur për pafajësinë e zyrtarëve të saj, mbrojtja më e mirë nuk është bllokimi i procedurave apo ndryshimi i ligjeve. Mbrojtja më e mirë është t’i lihet drejtësisë të bëjë punën e saj deri në fund.”
Çfarë tha Belinda Balluku
Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka postuar disa pamje të transmetuara nga CNN, të cilat, sipas saj, po krijojnë keqkuptime në mediat ndërkombëtare. Pamjet e Kakomesë janë interpretuar sipas saj sikur kanë lidhje me Zvërnecin. Ajo ka guxuar të vendosë dhe shënimin ‘fake news’ ndaj CNN, duke thënë se këto pamje po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
“Turmat e protestuesve dhe disa video që qarkullojnë në rrjete sociale📱 kanë ndikuar në mënyrën si perceptohet Shqipëria 🇦🇱në disa raste, duke krijuar keqkuptime edhe në media ndërkombëtare.
Madje, edhe media si CNN kanë pasqyruar pamje nga Kakomeja, të cilat janë interpretuar gabimisht si reagim ndaj projekteve turistike. Në fakt, këto pamje nuk lidhen me Sazanin apo Zvërnecin.
Përhapja e informacionit të pasaktë mund të krijojë një imazh jo plotësisht real të Shqipërisë, duke ndikuar në perceptimin publik dhe në klimën e përgjithshme të investimeve dhe turizmit“- thekson Balluku.
Nisur nga postimi i saj, të shumtë kanë qenë qytetarët që i janë “përveshur” ish-zv/kryeministes, e cila tashmë po hetohet nga SPAK për korrupsionin dhe pastrim parash.
