Presidenti Ilir Meta, ka reaguar për operacionin e zhvilluar nga SPAK ditën e sotme, ku u njoftuan urdhër arreste për dhjetëra persona të dyshuar si eksponentë të krimit të organizuar, disa prej të cilëve të etiketuar si “koka të krimit”.

Në një intervistë për MCN TV, Meta tha se një pjesë e konsiderueshme e personave në këtë operacion u larguan para arrestimit. Presidenti deklaroi se SPAK ka pasur mundësi të veprojë para zgjedhjeve për eksponentë të krimit dhe nuk ka vepruar.

“SPAK i ka pasur mundësitë të vepronte para zgjedhjeve. Këta emra që dëgjojmë, një pjesë edhe që kanë ikur dhe kanë sfiduar Policinë e Shtetit, duhet të ishin ndaluar që para zgjedhjeve. Gati gjysma e personave nuk janë arrestuar, por janë larguar. Edhe kjo nuk është një gjë pozitive. Fakti që ditë më parë ka rrjedhur në media informacioni, që zotëria i ndaluar ka folur, nuk është pozitive sepse është paralajmërim indirekt që u jepet bashkëpunëtoreve të tij.
Nëse e lidhim me aferën e inceneratorëve, na kujton edhe urdhrat për ndalimet e tre pronarëve të inceneratorëve, që nuk janë ekzekutuar edhe sot e kësaj dite, sepse janë lajmëruar siç ka ndodhur edhe në raste të tjera. Do të doja të ishte një aksion ndaj kokave të krimit, pa selektivitet. Është e rëndësishme që SPAK, Policia e Shtetit, të gjithë institucionet ligjzbatuese të hetojnë përse nuk ka qenë sukses i plotë arrestimi i shumicës së tyre. Duhet të jetë një betejë e përditshme, duhet të punohet për ta çliruar Shqipërinë nga bandat që kanë një pushtet të fortë. Dëshiroj të jetë një fillim i mirë dhe të përmirësohet gjithçka”, tha ndër të tjera Meta.

Ndërkohë që  në lidhje me gjyqin ndaj gazetës austriake, presidenti tha se do kishte dëshmitar inceneratorin e Tiranës.

“Është për të qeshur dhe për të qarë, se kjo gazetë bulevardeske austriake, përdoret për qëllime tepër spekulative, për të mos thënë mafioze, por kjo do te provohet në gjyq. Gjyqi për gazetën bulevardeske austriake është i pakthyeshëm. Artikulli qesharak, i pavërtetë, i mbushur me mashtrime, aq më pak për pozitën që isha ata duhej të çonin pyetjet paraprakisht. Nuk kam pasur kurrë problem të bej foto. Të vishesh si grua dhe të paguash, si gruaja e dikujt tjetër, (gruaja e Bilalit) për të bërë një foto kjo nuk është normale. Me të njëjtin vend kam qenë më Vasilin, kanë qenë edhe deputet të tjerë, unë nuk kisha nevojë të paguaja për një foto, se isha kryetar Kuvendi i ftuar më agjendë”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: