Trajneri i Interit, Luciano Spalleti, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp për ditën e 5 të përgatitjeve të skuadrës për sezonin e ri. Numri 1 i zikaltërve ka folur për shumë tema, nga objektivi që ata kanë, ardhja e Cristiano-s te Juventusi, kontrata e re e deri te Cancelo e Rafinha.

Kontrata – “Qëndroni të qetë, rinovimi i kontratës do të bëhet. Nuk ka asnjë problem, unë këtu ndihem rehat. Kontratën e nënshkruajmë në vetëm 5 minuta, madje është njëlloj sikur ta kisha firmosur. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe nuk ka nevojë as për avokatë apo menaxherë, njëlloj sikurse ndodhi në kontratën e parë. Ishte kontrata më e thjeshtë që kam nënshkruar ndonjëherë. Na priti mua dhe drejtorin sportive, Ausilio vetëm, pa asnjë menaxher ose avokat. Ishte gjithçka shumë e lehtë, me reciprocitet dhe kënaqësi”, u shpreh teknik zikaltër, kontrata aktuale e të cilit me Inter skadon më 30 qershor të vitit 2019.

Ronaldo te Juventusi- “Cristiano Ronaldo është një kampion i madh. Por askush nuk mund të na bëjë të ndihemi inferiorë kundër dëshirës tonë. Do t’i japë forcë dhe shikueshmëri kampionatit italian. Për nga personaliteti është një prej më të fortëve të të gjitha kohërave. Ka entuziazëm të madh, në atmosferë ndihet aromë e një futbolli të madh dhe kjo gjë mund të ndikojë pozitivisht në lëvizjen tonë”.

Nainggolan – “Nainggolan është e lehtë ta përshkruash, është njëlloj sikurse e shikoni, shumë transparent. Është një person, të cilin kur e shikon nuk rrezikon që të mashtrohesh, të përshkruan në perfeksion atë që është, dhe paguan çmimin e të jetuarit pa maskë. Jepet ashtu siç është. Ndonjërit kjo nuk i pëlqen, ndërsa ne na pëlqen. Radja është si Diabolik, është e pamundur ta kontrollosh, shpërthen në të gjitha anët… Më duket se Nainggolan ka bërë mirë kudo që ka qenë, është i bërë me brum të mirë. Jam i bindur se ai ka dëshirë tu tregojë interistëve atë që është marka Nainggolan”, e përshkroi Spalletti, blerjen e tij nga Roma, Nainggolan.

Cancelo e Rafinha- “Më vjen keq sepse ishin brenda mentalitetit, brenda grupit, ngjyrave, por janë disa rregulla të cilat duhen respektuar. Këto rregulla nuk na lejuan t’i mbanim. Nuk mund të shpenzonim shifrat që kërkoheshin për ata lojtarë. Unë ju uroj më të mirën pasi na ndihmuan shumë për rezultatet e sezonit të kaluar”.

Perisic si CR7 – “Ivan dhe Brozovic u kanë dëshmuar të gjithëve në ndeshjen e fundit, për atë që janë në gjëndje të bëjnë. Kundër Anglisë kanë bërë ndeshjen më të bukur, me më shumë kualitet. Brozo në atë pozicion vendosi cilësinë e lojës së skuadrës në një ndeshje të rëndësishme, duke spostuar edhe Modric. Përshkoi shumë kilometra, në mos gaboj 16, mbresëlënëse dhe me cilësi. Me atë, topi nuk vdes kurrë, niset fuqishëm dhe mbërrin fuqishëm. Perisic është një futbollist me fizik të mbifuqishëm. Ka të drejtë Mourinho, nëse mund të krahasojmë dikë me Ronaldon, është pikërisht Ivan, sepse është i fortë në shpejtësinë rezistencë, u pa tek ai top që arriti të kapë, por edhe në të gjitha ato raste kur na ka ndihmuar në fazën mbrojtëse. Ajo që duhet të mësojë më shumë, është kontakti me zonën e golit, shpresoj që ai gol t’i japë stimuj të tjerë, sepse mund të shënojë edhe më shumë gola”, deklaroi Spalletti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: