Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 29 nëntor 2026. Vendimi u bë i ditur këtë të hënë në mëngjes përmes një fjalimi televiziv, pas krizës politike të krijuar nga rrëzimi në Parlament i dy dekreteve të qeverisë për krizën e strehimit.

Dy masat emergjente synonin forcimin e mbrojtjes së qiramarrësve dhe parandalimin e dëbimeve të personave vulnerabël, në një kohë kur çështja e strehimit ka shkaktuar protesta në disa qytete të vendit.

Debati u përshkallëzua veçanërisht pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, rasti i së cilës u kthye në simbol të krizës së strehimit në Spanjë.

Dekretet u rrëzuan në Kongres pasi Junts iu bashkua Partisë Popullore dhe Vox në votimin kundër tyre. Humbja parlamentare e la qeverinë e Sánchez-it pa mbështetjen e nevojshme për të kaluar këto masa, duke shtuar presionin politik mbi ekzekutivin.

Në fjalimin e tij, Sánchez tha se është e nevojshme të “ripërtërihet dhe zgjerohet mbështetja e popullit” për qeverinë. Ai shtoi se Spanja duhet të sigurojë që Parlamenti i ardhshëm t’i japë qeverisë “një shumicë shumë më të gjerë progresive”.

Zgjedhjet e 29 nëntorit do të zhvillohen rreth tetë muaj përpara përfundimit të parashikuar të legjislaturës.

Vendimi i Sánchez vjen pas një periudhe të tensionuar politike dhe sociale, të dominuar nga kriza e strehimit dhe vështirësitë e qeverisë për të siguruar shumicën parlamentare për nismat e saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb