TIRANE– Avokati Spartak Ngjela thotë se kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkon Ministrinë e Brendshme në mënyrë që të manipulojë zgjedhjet. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se të njëjtën gjë bëri edhe në vitin 2011.

Ndërkaq, ai shtron pyetjen nëse kreu i PS, Edi Rama, do ta lejojë këtë gjë apo jo.

Sipas Ngjelës, shqetësimi kryesor i politikanëve në Shqipëri, është reforma në drejtësi. Por ai thekson se Meta dhe Berisha nuk e ndalojnë dot vettingun për gjyqtarët dhe politikanët e lartë.

“Komedia Meta vijon:
Ai po kërkon Ministrinë e Brendshme, që të manipulojë zgjedhjet me policinë, njëlloj sikurse bëri në vitin 2001 kur manipuloi zgjedhjet si kryeministër dhe futi policinë si hordhi nëpër qendrat e votimit.
Po Rama do t’ua nënshtrojë Partinë Socialiste hajdutëve recidivistë Meta dhe Berisha?

Gjithë banda e hajdutëve është në hallin e Reformës, dhe nuk kanë fare qëllim zgjedhjet, të cilat duan t’i manipulojnë për të rropatur Shqipërinë edhe një herë nëpër stepat e Azisë. Por dhe lodhen kot. As vetingun e gjyqtarëve dhe as vetingun e politikanëve të lartë, nuk e ndalojnë dot.
Është për të qeshur.

Vërtet mendon blloku korruptiv shqiptar se mund ta mundë politikën amerikane për të triumfuar korrupsioni në Shqipëri dhe pastaj ta çojë Shqipërinë në Moskë, ashtu si kundër që veproi Enver Hoxha në vitin 1945? Sepse, edhe Enver Hoxha, e mori pushtetin me armët angleze, dhe e çoi më pas Shqipërinë në Moskë…

Po Rama që është ekzekutuesi shqiptar i aleancës dhe marrëveshjes shqiptaro-amerikane, a do ta lejojë këtë gjë që të ngjasë?

Edhe kjo është pamundësi absolute. Të gjithë të korruptuarit nuk kanë ku të shkojnë. Ata do rrinë në vendet e tyre derisa t’iu vijë letra e FBI -së dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit për t’iu komunikuar akuzën. Ky ka qenë destini i tyre.

Prisni që t’i shikoni”, shkruan Ngjela.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: