Një deklaratë e fundit e ministres serbe Paunoviç ka ngjallur debate të forta dhe reagime të shumta në Kosovë, por edhe nga ana e Bashkimit Europian. Për të analizuar këtë situatë dhe implikimet e saj në sigurinë kombëtare, eksperti i njohur i sigurisë nga Kosova, Bedri Elezi, dha një intervistë të drejtpërdrejtë në studion e News24.
Sipas Elezit, kjo deklaratë nuk është një qëndrim i izoluar, por pasqyron qartë strategjinë dhe qasjen reale të Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës. Ai theksoi se ky retorikë shërben si një kod dhe nxitje e drejtpërdrejtë për grupet radikale, kriminale dhe terroriste në veri të vendit.
Eksperti i sigurisë bëri një ndërlidhje kronologjike të ngjarjeve, duke kujtuar se vetëm dy ditë para këtij deklarimi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, doli publikisht në mbrojtje të Milan Radoiçiçit—përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.
“Kemi një lloj përqafimi të politikanëve serbë ndaj grupeve terroriste që kryen sulmin në veri. Kjo deklaratë e ministres provokoi qëllimisht reagimin ndërkombëtar, duke tentuar të motivojë strukturat paralele për të destabilizuar rendin kushtetues të Kosovës” – u shpreh Elezi.
Sipas tij, pas kësaj strategjie fshihet edhe interesi i Rusisë dhe Iranit për të krijuar vatra të reja zjarri në Ballkan, me qëllim defokusimin e vëmendjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj nga krizat e tjera globale.
Elezi u tregua mjaft kritik ndaj mënyrës se si institucionet shtetërore në Prishtinë po e menaxhojnë këtë situatë. Ai deklaroi se shpallja e ministres serbe si person i padëshirueshëm apo paralajmërimet për kallëzime penale janë veprime sipërfaqësore dhe vetëm për “konsum politik e mediatik”.
Sipas ekspertit, hapat e menjëhershëm që duheshin ndërmarrë përfshijnë:
-Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën flukse dhe rritur vigjilencën e inteligjencës.
-Përgatitjen e dosjeve me prova konkrete dhe dërgimin e shkresave zyrtare tek shtetet e Kuintit dhe organizmat ndërkombëtarë, në vend të deklaratave në media.
-Kërkesën zyrtare ndaj NATO-s për të shtuar praninë e saj, veçanërisht në një moment kur është përfolur për zvogëlim të forcave.
