Botërori i Katarit uli siparin, tani është koha për të bërë disa bilance, më të mirët dhe më të dobëtit të këtij turneu, analizë e bërë nga mediat italiane:

Messi, nota 10. Mori më në fund të vetmin trofe që i mungonte, më të rëndësishmin, Kupën e Botës. Në Doha ngriti në qiell të artën, duke u shndërruar në të pavdekshëm, kompletoi një kryevepër, një karrierë fantastike. Në moshën 35-vjeçare bëri liderin, heroin për Argjentinën, ishte protagonist absolut i këtij Botërori.

Mbappe, nota 9: I vetëm mbajti Francën të gjallë në finale. U shpall golashënuesi më i mirë i Botërorit me 8 gola, 4 gola i shënoi vetëm në finale, e të mendosh që është vetëm 24-vjeç, pa diskutim e ardhmja i përket atij.

Ounahi, nota 8,5: Sigurisht kjo notë ndahet me pjesën tjetër të ekipit të Marokut, surpriza më e madhe e këtij Botërori, por pa dyshim ai është simboli i këtij ekipi, një mesfushë i klasit botëror.

Luka Modric, nota 7,5: Pavarësisht se 37-vjeç dukej si një djalosh i ri. Udhëheq Kroacinë duke e dërguar në vendin e tretë në Botë.

Moriyasu, nota 7. Trajneri i Japonisë prezantoi një skuadër shumë të organizuar, dhuroi dy nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori, mposhti Gjermaninë dhe Spanjë me përmbysje.

Renard, nota 7: Ajo që bëri në ndeshjen e parë, duke mposhtur Argjentinën, është një histori e bukur për të treguar, për më tepër që tani Argjentina u shpall kampione bote.

Van Gaal, nota 6: Kjo notë është një miks mes rezultatit që arriti, çerekfinalet e Botërorit dhe lojës së shfaqur. Tekniku i tulipanëve bëri gjëra të mëdha në këtë botëror, por fati nuk ishte me ta nga ruleta e penalltive.

Luis Enrique, nota 5: I shumë kritikuar për faktin që volumi i madh i lojës nuk rezultoi efikas, e nxori nga Botërori një përfaqësuese si Maroku.

Neymar, nota 4,5: Nuk ishte në lartësinë e shokëve të tij te PSG. Praktikisht ishte Botërori i tij i fundit, por thuajse kurrë nuk arriti të bënte diferencën, kjo sigurisht e kushtëzuar edhe nga dëmtimi i pësuar. Emri i Neymar rëndoj shumë edhe te Tite, në fund Brazili i tij doli nga Botërori që në fazën çerekfinale.

De Bruyne, nota 4: E gjithë Belgjika dështoi në këtë Botëror, por nga lideri i ekipit sigurisht që pritej diçka më shumë.

Flick, nota 4: Gjermania ishte edhe e pafat këtë Botëror, por mbi Flick rendon jo pak fakti që nuk arriti kurrë të gjente pykën që aq shumë i duhej këtij ekipi. Fakti që dolën që në fazën e grupeve, nuk le vend për justifikime.

Serbia, nota 3: Një nga zhgënjimet më të mëdha të këtij Botërori, një përfaqësuese me shumë potencial, por Xhaka e Shaqiri i dërguan sërish në shtëpi.

Katar, nota 2: Ekipi më i dobët i këtij Botërori, e kishin të vështirë të bënin qoftë dhe dy pasa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb