NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë Tiranë ka publikuar listën me emrat e 344 kandidatëve që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në procesin e konkurrimit për programin e specializimeve afatgjata në mjekësi. “Gazeta Shqiptare” sjell në numrin e sotëm listën me emrat e kandidatëve. Kriteri kryesor i pranimit është nota mesatare, pasi në rregulloren e specializimeve është përcaktuar se kandidatët duhet të kenë notën mesatare të ponderuar të të gjitha viteve të studimit jo më të vogël se nota 7.

Konkurrimi në këto programe studimi zhvillohet në tri faza: intervista me gojë, testimi i informatizuar dhe vlerësimi i notës mesatare të studimeve universitare. Në total qeveria për vitin akademik 2015-2016 ka miratuar 97 kuota pranimi në programin e specializimeve afatgjata në mjekësi.

Prej të cilave, 92 janë kuota për kandidatët brenda territorit dhe 5 kuota janë për kandidatët me kombësi shqiptare nga trojet jashtë kufijve të vendit. Në 92 kuotat brenda vendit, 80 janë kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë, 3 për transferime po nga Shëndetësia, 2 janë kuota të pambuluara nga Ministria e Drejtësisë, 5 janë të mbuluara nga Ministria e Mbrojtjes si dhe 2 kuota të pambuluara nga Ministria e Brendshme.

Kandidatët i nënshtrohen konkursit të pranimit për të testuar njohuritë në fushën përkatëse të studimit. Zgjedhja e programit të specializuar bëhet në bazë të renditjes së kandidatit sipas pikëve të përfituara.

Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë është 115.000 lekë. Studentët e shpallur fitues paguajnë menjëherë në llogari të Universitetit të Tiranës, 30% të tarifës vjetore të shkollimit. Këstet e tjera paguhen sipas rregullores së miratuar nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë. Të drejtën për të aplikuar në programe studimi specializuese, afatgjata, e kanë të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: