Sandër Lleshaj, i cili mbart një karrierë të pasur ushtarake, e konsideron serioze çështjen e veprimtarisë së shërbimeve sekrete të vendeve që ndjekin politika jomiqësore ndaj Shqipërisë.

Ish-ministri i Brendshëm thotë për Gazetën “Panorama.al” se episodi i Gramshit dhe Poliçanit nuk ka fuqi të rrezikojë sigurinë kombëtare, por ai kërkon më shumë investime në sektorin e inteligjencës. Ish-ushtaraku i lartë shprehet se “ne duhet të çuditemi jo nga një rast i kapjes së disa personave të dyshuar për spiunazh, por nga rastet e tjera të moskapjes së tyre”.

Ai bën me dije se Shqipëria nuk mund t’u shpëtojë veprimtarive agjenturore, edhe për shkak të realitetit të Rusisë së shekullit të ri, e cila i ka përqendruar energjitë e saj më shumë në fushën e konfliktit dhe të luftës, sesa në atë të ekonomisë, kulturës, artit, sportit apo të mirëqenies së qytetarëve të saj.

Ish-ministri i Brendshëm, teksa flet edhe për pasaportën shqiptare në këmbim të investimeve të huaja, është mosbesues ndaj një bumi investimesh serioze. Ai shprehet se pas kësaj iniciative, janë llogaritë e gabuara apo pritshmëritë e pabazuara të autorëve të saj për ndonjë efekt të qenësishëm ekonomik. Sipas z. Lleshaj, vendi ynë nuk e ka luksin që të devijojë asnjë milimetër nga angazhimi për në BE.

Z. Lleshaj, ju keni një karrierë të gjatë ushtarake duke mbajtur disa detyra të larta në Forcat tona të Armatosura. Në bazë të njohjeve tuaja, në çfarë gjendjeje është sot ushtria shqiptare?
Ushtria shqiptare ka njohur një transformim rrënjësor në rrugën e saj për integrimin në NATO. Një ndër rezultatet më të prekshme të këtij transformimi është zvogëlimi. Ne nuk kemi pasur kurrë një ushtri kaq të vogël në historinë moderne të shtetit shqiptar. Por siguria e vendit është forcuar shumë për shkak të anëtarësimit në NATO. Në këto kushte, nevojitet që vendi të kujdeset për të mbajtur një ushtri jo të madhe, por pikërisht për këtë arsye, shumë moderne dhe të aftë për t’u rritur shpejt në rast nevoje. Plotësimi i këtyre dy kushteve kërkon një angazhim të shtuar të qeverisë.

A ka më sekrete mbrojtja shqiptare përderisa turistë çekë arrijnë të futen në Poliçan dhe rusët në Gramsh?
Sekretet e mbrojtjes së Shqipërisë nuk mund të jenë në Poliçan. Nëse kjo do të ishte e vërteta, atëherë Shqipëria duhej të vajtohej sot. Ndoshta këto sekrete duhet të kërkohen më shumë në Bruksel sesa në Poliçan, ku aktualisht mund të gjenden ndoshta ende torno apo freza të ndryshkura, por jo sekretet e mbrojtjes së vendit tonë.

Për çfarë sekretesh bëhet fjalë?
Planifikimi i mbrojtjes për të gjitha vendet anëtare të NATO-s bëhet në Bruksel.

Ngjarja e ndodhur në Gramsh dhe Poliçan, a është një tentativë e pastër spiunazhi?
Kjo ngjarje ka shkaktuar një zhurmë të madhe, e cila më duket e pajustifikuar. Në të vërtetë, këtu nuk ka ndonjë çudi të madhe. Madje më duket se e vetmja çudi këtu është habia jonë e madhe. Në të vërtetë, ne duhet të çuditemi jo nga një rast i kapjes së disa personave të dyshuar për spiunazh, por nga rastet e tjera të moskapjes së tyre. Ne duhet që për një gjë të jemi të sigurt: për sa kohë ka shtete që kanë interesa kundër vendit tonë dhe që ndjekin politika jomiqësore ndaj tij, do të ketë edhe veprimtari spiunazhi në shërbim të këtyre politikave. Prandaj, mos u habisni për ata që janë kapur, por pyesni se sa janë, ku janë dhe cilët janë të tjerët. Rasti i Gramshit është në hetim. Por pavarësisht përfundimeve të hetimit, çështja e veprimtarisë së shërbimeve sekrete të vendeve që ndjekin politika jomiqësore ndaj vendit tonë mbetet e hapur dhe serioze.

A është ky episod cenim i sigurisë kombëtare që kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë?
Siguria kombëtare e Shqipërisë është një nocion shumë i gjerë dhe kompleks. Ajo nuk mundet kurrsesi që të reduktohet me fatin e një fabrike të shkatërruar armatimi të lehtë. Sikur fati i Shqipërisë të varej nga rrënojat e një fabrike të dikurshme armësh, ekzistenca jonë si shtet nuk do të kishte më kuptim. Jo, ky episod nuk ka fuqi të rrezikojë sigurinë e vendit, ndërkohë që kjo besëtytnia se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është instrumenti për të bërë gjëra të mëdha në këtë fushë, është e gabuar. Ky këshill është një organ që normalisht duhet të këshillojë Presidentin, kur ai duhet të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm në këtë fushë.

Por dihet se detyrat dhe kompetencat e Presidentit te ne në këto çështje janë shumë të limituar në kohën e paqes. Ndaj unë nuk shoh ndonjë vlerë konkrete të shtuar nga mbledhje të tilla. Ky këshill përbehet nga pjesa kryesore e qeverisë dhe disa agjenci të vartësisë së saj. Në të vërtetë, të gjitha vendimmarrjet e rëndësishme edhe në fushën e sigurisë kombëtare duhet të merren nga qeveria, si organ kushtetues përgjegjës. Këshillat nuk marrin vendime, ato vetëm sa diskutojnë dhe mund të rekomandojnë.

Ndaj, hyrja e tre personave në një objekt me rëndësi të shkuar, nuk mund të konsiderohet si “thyerje” e sigurisë kombëtare, ndaj edhe supozimet që ngrihen mbi të nuk i gjykoj të përshtatshme. Ky është vetëm një episod që duhet vlerësuar me kujdes, për të parë atë që nuk duket në vështrimin e parë tek ai. Episodi duhet të shërbejë për të analizuar çështjen e veprimtarisë së shërbimeve të huaja inteligjente te ne.

Sa e përgatitur është Shqipëria përballë situatave të tilla?
Shqipëria ka ndërtuar kapacitete të mira në këtë fushë, të cilat janë treguar efektive si në përballjen me veprimtarinë terroriste, ashtu edhe me atë agjenturore gjatë viteve të fundit. Bashkëpunimi me aleatët tanë në NATO i ka dhënë një përmasë të rëndësishme edhe vendit tonë në këtë fushë. Megjithatë ka vend për shumë më tepër. Për sa kohë që ne i kemi reduktuar ndjeshëm kapacitetet tona në hard power, kërkohet që të investohet më shumë në sektorin e inteligjencës, që është në një farë mënyre soft power. Forca e vërtetë në këto kushte duhet të jetë inteligjenca

Shërbimet ruse nën petkun diplomatik a kanë tentuar edhe më herët që të korruptojnë ushtarakë dhe civilë shqiptarë për qëllimet e tyre subversive?
Duket se Rusia e shekullit të ri i ka përqendruar energjitë e saj më shumë në fushën e konfliktit dhe të luftës sesa në atë të ekonomisë, kulturës, artit, sportit apo të mirëqenies së qytetarëve të saj. Në këtë fushë duhet se veprimtaria e fshehtë u prin përpjekjeve të saj në rrafshin ndërkombëtar. Përfaqësitë e saj diplomatike nëpër botë janë akuzuar shpesh dhe gjerësisht për veprimtari agjenturore. Kësaj nuk mund t’i shpëtonte natyrisht as Shqipëria, ku shumë diplomatë janë dëbuar prej saj pikërisht për këtë arsye.

A gaboi Kryeministri Edi Rama që nuk anuloi vizat për rusët?
Nuk mund të them nëse viza mund të pengojë agjentët e një vendi për të hyrë në një vend tjetër. Përderisa ata veprojnë nën mbulim apo të fshehur nën identitete të rreme, më duket se viza nuk përbën ndonjë barrierë të rëndësishme për hyrjen e tyre në vendin tonë. Megjithatë, çështja e lirisë së udhëtimit të rusëve drejt vendit tonë mund të meritojë një diskutim në kontekstin e solidaritetit me Ukrainën, gjithmonë në harmoni me qëndrimet e vendeve të tjera të BE-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb