Një stadium i ri futuristik që po planifikohet në Fukushima synon të ndryshojë mënyrën se si ndërtohen impiantet sportive moderne, duke vendosur në qendër drurin vendas, energjinë pasive dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal në ndërtim. Projekti është konceptuar nga firma japoneze VUILD dhe u prezantua në Venice Architecture Biennale si një model i arkitekturës rigjeneruese për rajonin e goditur nga tërmeti, cunami dhe katastrofa bërthamore e vitit 2011. Stadiumi do të jetë shtëpia e ekipit Fukushima United FC dhe sipas arkitektëve nuk do të shërbejë vetëm si arenë sportive, por si simbol i rimëkëmbjes së rajonit. Emblema e klubit me palmën simbolike është përdorur si frymëzim për konceptin arkitektonik që synon të mishërojë rigjenerimin dhe lidhjen me natyrën.
Ndryshe nga stadiumet tradicionale të betonit dhe çelikut, struktura do të ndërtohet pothuajse tërësisht prej druri lokal dhe materialesh të ricikluara. Arkitektët kanë shmangur modelin gjigant të tribunave të përqendruara në një masë të vetme, duke krijuar në vend të saj një sistem modular që ngjan me një seri shtëpish dykatëshe të vendosura rreth fushës së lojës. Kapaciteti i stadiumit është kufizuar qëllimisht në 5 mijë spektatorë, në mënyrë që objekti të integrohet natyrshëm me peizazhin përreth dhe të ruajë një shkallë më intime njerëzore.
Forma rrethore e stadiumit frymëzohet nga komplekset tradicionale kineze “Tulou”, ndërsa çatitë trekëndore rikujtojnë arkitekturën historike të fshatit japonez Ouchi-juku në Fukushima. Një nga elementët më të pazakontë të projektit është mënyra e ndërtimit. Seksionet prej druri do të prodhohen jashtë kantierit dhe më pas do të montohen me ndihmën e tifozëve, banorëve dhe komunitetit lokal, duke rikthyer traditën japoneze të ndërtimit kolektiv. Stadiumi është projektuar gjithashtu për të funksionuar me sisteme pasive energjie. Çatia dhe muret janë formuar në mënyrë të tillë që të shfrytëzojnë dritën natyrore dhe qarkullimin e erës, duke reduktuar nevojën për kondicionim artificial.
Në anën jugore, çatia është më e ulët për të lejuar depërtimin e rrezeve të diellit mbi barin e fushës, ndërsa në veri zgjatet për të mbrojtur spektatorët nga nxehtësia intensive e verës. Një tjetër element inovativ është sistemi natyror i ftohjes me akull. Nën tribunat do të ndërtohet një hapësirë ku gjatë dimrit do të ruhet akulli i krijuar nga ajri i ftohtë natyror. Gjatë verës, ky akull do të përdoret për të freskuar ambientet, duke ulur ndjeshëm konsumin energjetik. Projekti parashikon gjithashtu grumbullimin dhe riciklimin e ujit të shiut për ujitjen e fushës dhe përdorimet sanitare, duke synuar vetëjaftueshmëri sa më të madhe.
Arkitektët synojnë që stadiumi të marrë certifikimin ndërkombëtar “Living Building Challenge”, një nga standardet më të larta globale për ndërtesat ekologjike dhe të qëndrueshme. Në zhvillimin teknik të projektit ka bashkëpunuar edhe kompania inxhinierike Arup, e cila ka përdorur analiza shumëparametrike për të optimizuar formën e stadiumit, komfortin termik të spektatorëve, qarkullimin e ajrit dhe reduktimin e gjurmës së karbonit. Sipas projektuesve, stadiumi përfaqëson një model të ri ku sporti, komuniteti dhe qëndrueshmëria mjedisore bashkohen në një strukturë të vetme që synon të rigjallërojë jo vetëm futbollin, por edhe vetë identitetin e Fukushimës.
