Stoke City e Xherdan Shaqirit këtë sezon nuk arriti të mbijetonte në “Premier League” duke zbritur në “Championship” pas 11 vitesh. Kjo me shumë mundësi do të sjellë largimin e shtatshkurtrit shqiptar që luan për Zvicrën pasi ai ka një kluazolë që mund të largohet për 12 mln paund nëse ekipi binte nga elita e futbollit anglez.

“The Sun” shkruan se shumë ekipe të “Premier League” të cilat janë të interesuara për 26-vjeçarin si Tottenham, Ëest Ham, Everton dhe Crystal Palace janë gati të paguajnë këtë shifër.

Lidhur me hipotezat e përmendura më sipër Shaqiri ka deklaruar se do t’i pëlqente Tottenham pasi do t’i jepte mundësinë të luante në “Champions League”, kompeticion të cilën ai e ka fituar në 2013 me Bayern Mynchen.

“Është e rëndësishme për mua që të gjej një klub ku trajneri dhe drejtuesit të shprehin interes për mua. Do të ishte më mirë nëse ky klub luan në Europë. Synimi i çdo futbollisti është të luajë në Champions League”, thotë vetë 26-vjeçari. “E falënderoj Stoken pasi këtu kam arritur të përshtatem me kampionatin anglez dhe klubi më mbështeti edhe kur gjërat nuk shkonin mirë. Kam mësuar edhe të mbroj dhe jam rritur shumë si futbollist dhe si njeri”.

Në janar Shaqiri pati një ofertë nga Roma, të cilën e refuzoi. “Nuk kam përvojë të mirë nga transferimi tek Interi në janar, për më tepër që doja të ndihmoja Stoken të arrinte synimet e veta. Por Serie A mbetet një kampionat tërheqës. Lojtarët e mirë kalojnë atje çdo vit, kështu që nuk përjashtoj asgjë”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb