Galeria Kombëtare e Arteve e ka përzgjedhur kuratorin e Ekspozitës Ndërkombëtare, pas dështimit kohë më parë për shkak të mungesës së aplikimeve. GKA njofton në sajtin e saj se Këshilli Organizativ i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri” i përbërë nga Andi Tepelena, Thomas Logoreci, Oltsen Gripshi, Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj ka marrë në shqyrtim dy aplikimet për kurimin e ekspozitës: “Periferia nuk është vetëm – Periphery isn’t alone” nga kuratori Klod Dedja dhe “Stranger Than Kindness” nga kuratori Fani Zguro. Sipas njoftimit, pas një diskutimi të gjatë dhe të thelluar mbi të dy konceptet kuratoriale, në përfundim vendosi të zgjedhë kuratorin Fani Zguro me konceptin kuratorial “Stranger Than Kindness”, si Kuratorin e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri XXII”.

Motivacioni për këtë zgjedhje është se koncepti kuratorial fitues “Stranger Than Kindness” i kuratorit Fani Zguro përzgjedh një temë të mprehtë dhe i shërben skenës artistike shqiptare, pasi vë në qendër të diskutimit ekzistencën e artit bashkëkohor, duke trajtuar dualizmin e tij mes ekzistencës dhe sajesës. “Ai tejkalon sipërfaqësoren duke depërtuar në thelbin e mendimit të artit bashkëkohor, duke e vendosur këtë të fundit në qendër të diskutimeve, reflektimeve dhe duke mundësuar përcjelljen e mesazheve universale që arti bashkëkohor i ka në ADN-në e tij”, vëren GKA. Sipas këtij institucioni, koncepti kuratorial “Stranger Than Kindness” është gjithëpërfshirës në aspektin filozofik, por edhe në atë ekzistencial: ekzistencial për artin bashkëkohor dhe për vetë artistin, i cili trupëzohet me krijimet e tij, duke braktisur ndrojtjen dhe duke flakur tutje paragjykimet. “Duke marrë në konsideratë fushëpamjen ndërkombëtare të projektit, por edhe largpamësinë e kuratorit, Këshilli Organizativ gjykon se ky projekt është një ndalesë shumë e rëndësishme për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore ‘Onufri’ dhe për edicionin e XXII-të në veçanti”, mbyllet njoftimi.

KUSH ËSHTË FANI ZGURO
Fani Zguro ka lindur më 1977-ën në Tiranë dhe jeton e punon mes Tiranës e Berlinit. Ai është fitues i çmimit “Mulliqi” nga Galeria e Arteve të Kosovës, fitues i ONUFRI-t në vitin 2008 nga GKA-ja dhe fitues i çmimit “Balaton” në Hungari. Ka qenë pjesë e disa rezidencave artistike dhe ka ekspozuar në: Rijeka (Kroaci), ‘Museum of Modern Art’, ‘Kuwait City’ (Kuvajt), ‘Centre Pompidou’, Paris (Francë), ‘Ludwig Museum’, Budapest(Hungari), ‘Accademia delle Belle Arti di Brera’, Milan (Itali), ‘Athens Photo Festival’, ‘Benaki Museum’, Pire (Greqi), 3rd Mardin Biennial (Turqi), ER Modern, Ankara (Turqi), ‘National Center for Contemporary Arts’, Moskë (Rusi), etj.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: