Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pak ditë më parë m’u desh të udhëtoja me urban. Nga larg pashë një prej automjeteve të linjës Qendër-Uzina e Autotraktorëve, që po largohej nga stacioni, por nuk u shqetësova shumë. Mendova se do të më duhej të prisja vetëm pak minuta për autobusin tjetër. Të freskët e kisha në mendje lajmin se pas rritjes së çmimit të biletës nga 30 në 40 lekë, Bashkia e Tiranës kishte vendosur një sërë kriteresh për rritjen e cilësisë së shërbimit në linjat e transportit urban.

E njëra prej tyre ishte pikërisht respektimi i frekuencës së autobusëve, me qëllim shkurtimin e kohës së pritjes për qytetarët. Iu afrova stacionit që ndodhet te “Rruga e Elbasanit” për të pritur urbanin e radhës. Pesë minutat e para kaluan. Edhe të dytat po ashtu. Pas rreth 13 minutash pritjeje, u duk një autobus që po afrohej. Të gjithë njerëzit nisën të nxitojnë për të hipur njëri më parë se tjetri. Në fillim nuk e kuptova pse. Më pas vura re se vetëm pak sedilje ishin të lira. Të tjerat ishin zënë që në stacionin e parë. Autobusi u mbush plot, aq plot sa njerëzit qëndronin ngjitur me njëri-tjetrin, ndërsa faturinoja shtynte sa majtas-djathtas për të mbledhur paratë e biletave.

Në stacionin e radhës hipën të tjerë, duke ngushtuar edhe më tej hapësirën, ndërkohë që 3 dyert e autobusit u mbyllën me shumë vështirësi (nuk i lejonin njerëzit). Ndonëse para pak ditësh temperaturat në Tiranë nuk ishin shumë të larta, brenda bënte shumë vapë. Sigurisht që ndikonte numri i madh i njerëzve në brendësi të tij. Në mendje më erdhi sërish një nga 10 kushtet e bashkisë pas shtrenjtimit të biletës: autobusi duhet ta mbajë gjithmonë kondicionerin në gjendje pune. Pyes faturinon se përse nuk po e hapnin, ndërsa ai m’u ‘përgjigj’ vetëm me një nënqeshje ironike. Nuk e kuptova nëse ishte i prishur apo shoferi ‘po e kursente’, por vendosa të mos pyes më tej e të hap vetë dritaren që ndodhej afër meje. Në stacionin tjetër më shumë qytetarë hipën se zbritën, duke mos liruar aspak hapësirën, ndërsa kishim bërë më shumë se gjysmën e rrugës me këto kushte.

Situata nisi të përmirësohej vetëm në fund të linjës, ndërkohë që qytetarët shfrynin nëpër dhëmbë për mënyrën sesi duhej të udhëtonin çdo ditë për të shkuar në qendër të qytetit e anasjelltas. Personalisht mendova që jam me fat për faktin se nuk më duhet ta përdor shpesh këtë linjë, ndërsa aksionet dhe gjobitjet e disa kompanive të transportit publik, në ditët të para të shkurtit, m’u dukën shumë të largëta. Po kaq i largët m’u duk dhe inspektimi i vetë kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj në disa linja autobusësh. Ashtu sikurse shumë qytetarë, edhe unë prita përmirësimin e cilësisë së shërbimit në transportin urban kur çmimi i biletës u bë 40 lekë, por linja Qendër-Uzina e Autotraktorëve dëshmon krejt të kundërtën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: