Një studente e pranishme në protestën nga sheshi “Skënderbej” ka deklaruar se të rinjtë kanë shumë arsye për të ngritur zërin ndaj qeverisë, duke përmendur problemet në arsim, punësim, strehim dhe kostot e jetesës.
“Jam një studente. Po shohim se problematikat kanë kaluar nga arsimi te sektorët e tjerë. Këtu një i ri ka disa sfida përballë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, sistemi arsimor po përballet me vështirësi dhe ideja e ndjekjes së universitetit nuk shihet më si një garanci për të ardhmen.
“Arsimi sot ka rënë. Ka rënë ideja e të bërë universitet. Modelet e suksesit nuk janë më ato që mund të studiosh. Mungon meritokracia”, tha studentja.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen të rinjtë, duke theksuar se kostot e jetesës e bëjnë të vështirë krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.
“Kostot e jetesës janë të larta. E kemi të pamundur të blejmë një shtëpi apo të krijojmë një familje. Mungojnë politikat sociale, veçanërisht për çështjet e strehimit”, u shpreh ajo.
