Në kuadër të veprimtarive për tetorin Gjerman, Bernd Borchardt, ish-ambasador i Germanisë në Shqipëri, mbajti këtë të premte ligjëratën, “Mbrojta dhe persekutimi i hebrenjve në krahinat shqipfolëse gjatë Holokaustit”. Nga salla e ambasadës gjermane ai prezantoi të dhënat e studimit të tij, një trajtesë me disa ngjyrime.
“Popullsia hebreje dhe një numër i madh i refugjatëve hebrenj gjetën mbrojtje dhe mbështetje nga popullata vendase dhe pjesë të qeverisë në Shqipëri, askush nuk u ekstradua në makinën gjermane vrasëse, shumë pak hebrenj u bënë viktima të persekutimit gjerman ose të luftës në Shqipëri. Ndërsa ka raportime për ndihmën që ju dha në Kosovë hebrenjve, shumica e tyre u arrestuan dhe u deportuan. Pas ardhjes së forcave gjermane, shumica e hebrenjve në Kosovë u arrestuan – kryesisht përmes Divizionit SS “Skënderbeu” –dhe u deportuan në kampet e përqendrimit, ku shumë u vranë”, tha Borchardt.

Borchardt përmendi faktin që qeveria shqiptare e kohës nuk dorëzoi lista të hebrenjëve autoriteteve gjermane në Shqipëri, madje, më 31 gusht 1943, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Kolë Mirakaj, u kishte kërkuar prefekturave dhe policisë t’u jepnin pasaporta shqiptare të gjithë hebrenjëve. Ndërsa solli rastin e një hebreu që luftoi si partizan ai kërkoi studime të mëtejshme për disa pyetje.

“Mbrojtja dhe persekutimi i hebrenjve në rajonin shqipfolës gjatë Holokaustit nuk janë studiuar në mënyrë gjithëpërfshirëse: çfarë, për shembull, e shtyu qeverinë shqiptare të urdhëronte dëbimin e një grupi hebrenjsh nga Kosova te pushtuesit gjermanë në Serbi në shkurt 1942 – në kundërshtim me politikat e tjera të Shqipërisë? Pse sjellja e një pjese të popullsisë shqiptare të Kosovës ndaj hebrenjve ishte e ndryshme nga ajo në Shqipëri?”
Historiania Nevila Nika tha se gjatë luftës nën gjermanët qe e vështirë të kuptoje ndryshimin mes koncepteve të çlirimit e pushtimit, ndërsa ish deputetja Valentina Leskaj, parashtroi të dhëna mbi marrëdhënien e shqiptarëve me hebrenjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: