Kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë dy viteve të para të jetës mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit, duke ulur rrezikun e zhvillimit të demencës në moshë të madhe. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore Neurology.
Sipas studiuesve, personat që gjatë fëmijërisë së hershme u rritën në një periudhë me konsum të kufizuar të sheqerit kishin rreth 23% më pak rrezik për t’u prekur nga demenca, ndërsa simptomat e sëmundjes u shfaqën mesatarisht dy vjet e gjysmë më vonë, krahasuar me grupin tjetër.
Studimi u bazua në një “eksperiment natyror” në Mbretërinë e Bashkuar, pas përfundimit të kufizimeve ushqimore të vendosura gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në shtator të vitit 1953, me heqjen e kufizimit të sheqerit, konsumi mesatar ditor u rrit nga rreth 41 gramë në 80 gramë.
Shkencëtarët analizuan të dhënat e afro 65 mijë pjesëmarrësve të projektit “UK Biobank”, duke krahasuar personat që kishin lindur para dhe pas përfundimit të kufizimeve të sheqerit.
Sipas autorit kryesor të studimit, Jiazhen Zheng nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong, rezultatet sugjerojnë se kufizimi i sheqerit në 1 000 ditët e para të jetës – nga shtatzënia deri rreth moshës 2-vjeçare – mund të ketë ndikim pozitiv afatgjatë në shëndetin e trurit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi nuk provon se sheqeri shkakton drejtpërdrejt demencën. Ata nënvizojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, i cili tregon vetëm një lidhje statistikore dhe jo një marrëdhënie shkak-pasojë.
Po ashtu, studiuesit pranojnë se nuk dihej sasia e saktë e sheqerit e konsumuar nga secili pjesëmarrës, ndërsa rezultatet bazohen te persona të lindur në vitet 1940–1950, ndaj nuk mund të zbatohen plotësisht për fëmijët e sotëm.
Pavarësisht kufizimeve, ekspertët bien dakord se një dietë e shëndetshme gjatë shtatzënisë dhe fëmijërisë së hershme mbetet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe shëndetin afatgjatë të trurit.
