Profilet e mendimtarëve të majtë, Musine Kokalari, Isuf Luzaj dhe Sejfulla Malëshova janë prezantuar në tri video të shkurtra nga Fondacioni “Fridrih Ebert”. Videot janë pjesa e dytë e një projekti të Autoritetit të Dosjeve dhe “Fridrih Ebert” në kuadër të studimeve për 10 figura që në vitet 40 kundërshtuan e luftuan komunizmin, si ekstrem i së majtës, duke dhënë alternativa që paçka se premtonin liri, nuk fituan.

“Donim të shihnim në historinë e së majtës shqiptare se cilat janë figurat që prezantojnë socialdemokracinë. Portezantojmë tri figura, Musine Kokalari, Isuf Luzaj dhe Sejfulla Malëshova në tri video të shkurtra. Ato janë vërtetë figura të së shkuarës, por japin shumë informacion dhe vlerë për sotmen e të ardhmen. Le të mbështetemi te këto figura, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë më mirë në këto momente që jemi”, tha Jonida Smaja, menaxhere projekti në FES.

Për realizimin e profileve janë shfrytëzuar arkivat, kujtimet e figurave dhe dosjet e ish-sigurimit të shtetit që shpalosin një përndjekje të tyre deri në vdekje, ose deri në rënien e regjimit. Elementi i syrit, i lupës, i hekurave, janë thelbësor në video.

“Mundoheshim të thoshim, dakord, nëse Musineja ka qenë në këtë vit në Tiranë në një librari, 2 muaj pasi i ishin vrarë vëllezërit, çfarë do mendoja unë nëse do më kishin varrë vëllezërit dhe do më propozonin të isha në diçka që më kishte vrarë vëllezërit dhe potencialisht do më vriste edhe mua. Pra, çfarë dilemash ekzistenciale mund të ketë një njeri i tillë”, shprehet Henkrik Lezi, dizajner.

Mes së majtës janë përzgjedhur idealistë, romantikë e nostalgjikë që besuan, u zhgënjyen dhe vuajtën pasojat e një ideologjie ekstreme, që erdhi në pushtet duke premtuar lirinë e barazinë, por e ktheu vendin në një burg të madh. Musineja vdiq e sëmurë, Isuf Luzaj u nda për 5 dekada nga familja, ndërsa Malëshova vdiq i vetëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb